"Po mbikëqyrim çdo element të procesit për votën e Diasporës"/ Berisha: Mbyllja e TikTok, një akt i rëndë censure! Rama po përgatitet që të mos ia marrë kush partinë

Kryedemokrati Sali Berisha po zhvillon një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Teksa foli për protestën e thirrur nga opozita më 15 mars, Berisha tha se do protestojmë kundër mbylljes së TikTok, sepse është një akt i rëndë censure.

FJALA E BERISHËS

Pyetja juaj është e drejtë dhe është e vërtetë se shqiptarët, më shumë se për cdo gjë tjetër, vuajnë për ato që ju thoni.

Unë nuk e di moshën tuaj, por për ata që kanë përjetuar në diktaturë, e kanë të qartë se censura, cilado qoftë ajo, është akti më i shëmtuar i diktaturës, dhe të gjitha diktaturat nisin me censurën.

Zef, lidhur me këtë, dua të rikujtoj një fjalë të presidentit Donald Trump, që në vlerësimin tim është deklarata më e fuqishme e jetës së tij.

Ai u tha amerikanëve para se të fitonte, se rreziku më i madh për kombin tonë nuk është Kina, nuk është Rusia, ata janë, por rreziku më i madh është armiku i brendshëm.

Ai armik që lartësonte flamurin e censurës, që ngrinte në institucionet e vendit të lirisë zyrat e censurës. Kompanitë e mëdha, që bënë revolucion në komunikimin në shoqërinë njerëzore, u rikthyen tek censorët dhe krijuan shtabet e censurës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në një vizitë blic në Shqipëri, të vetmen marrëveshje që firmosi ishte marrëveshja për censurën me ministrin e Jashtëm. Pse ky reagim?

Sigurisht duhet ta pranojmë, TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin.

Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë. Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok. 

Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok.

Kjo është arsyeja pse ne protestojmë. Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi.

Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete.

Petrit, së pari, një përshëndetje më të përzemërt ju dhe të gjithë shqiptarëve jashtë vendit.

Viti 2025, edhe njëherë duhet ta përsërisim sa herë të komunikojmë, është viti i diasporës shqiptare.

Është viti në të cilin diaspora, njëlloj si në kohërat më të vështira për kombin, kur shqiptarët thoshin ‘mbaju nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë’, edhe sot shqiptarët në një narkodiktaturë përsërisin me vete: ‘mbaju nënëm, mos ke frikë se i ke djemtë në diasporë dhe të dalin zot’.

Vota juaj do jetë e sigurt, u garantoj ju. Ne po mbikëqyrim mbi bazën e ligjit çdo element të këtij procesi, ndaj dhe me lutjen time të ndërmerrni tani, përveç aplikimit që keni bërë për votim, të ndërmerrni një dialog me të gjithë shqiptarët që janë regjistruar, që të votojnë për shpëtimin e Shqipërisë nga narkodikatura e Edi Ramës.

Të tjerë, që nuk janë regjistruar, të shfrytëzojnë çdo mundësi për të qenë të pranishëm në apelin e Shqipërisë më 11 maj. Shqipëria thërret çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ta ndihmojë atë.

Edi Rama së pari po përgatitet që së pari të mos ia marrë kush PS-në, por të qëndrojë kryetari i PS.

E vërteta është se Edi Ramën e presin procese ligjore, seri procesesh ligjore në Shqipëri, por njëri është më epror nga të gjithë të tjerët, është afera McGonigal.

Kështu që mos u çudit që të kërkohet për ekstradim, se unë u jap fjalën se pa asnjë hezitim do ekstradohet në SHBA.

100 ditët e para do të instalohet krahas paketës së dhimbshurisë, me të cilën ne nxjerrim Shqipërinë nga varfëria ekstreme, do instalohet kuadri ligjor për krijimin e klimës më miqësore për biznesin që ka ekzistuar ndonjëherë.

Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare. Ju jeni nga ata biznesmenë dhe specialistë të shquar që i njihni shumë mirë potencialet e jashtëzakonshme minerare të këtij vendi. Do të jenë paketa fiskale me taksën e sheshtë.

Do të jenë garancitë ligjore. Do të jetë ulja e çmimit të energjisë nga 18-24 lekë kilovati në 6 lekë, pra pjesëtimi me 3 i çmimit të energjisë. Do të jetë nxitja e madhe e projekteve madhështore në fushën e energjisë solare, diellore, ujore.

Do të jetë tërheqja e kompanive të mëdha të eksplorimit, shfrytëzimit, përpunimit të mineraleve në Shqipëri. Do të jetë Shqipëria e dataqendrave, e inteligjencës artificiale, e internetit 3 dhe kriptomonedha.

Pra, ne tre muajt e para hedhim baza të forta ligjore për të gjitha këto projekte dhe unë kam bindjen se ju dhe kolegët tuaj amerikanë do vijnë më kënaqësi të investojnë në Shqipëri.