“Po përpiqen të mbrojnë hajdutin Erion Veliaj”. Berisha mesazh patronazhistëve: LaCivita e paralajmëroi Ramën të mos luajë me zgjedhjet. PD, si forcë fituese drejt 11 majit
Në komunikimin me qytetarët në rrjete sociale, lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se Ramës i erdhi një paralajmërim shumë i fortë nga kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, zoti Chris LaCivita, i cili e paralajmëroi që të mos luajë me zgjedhjet sepse pasojat do të bien mbi të.
“Ndryshime të mëdha kanë ndodhur. Siç e shihni, është e vërtetë që Edi Rama bën gjithçka, por është e vërtetë se prozhektorë të fuqishëm janë drejtuar drejt Shqipërisë.
Është e vërtetë se brenda tyre ka një shkërmoqje të paparë.
Është e vërtetë se ka 2 muaj që këndojnë himnin e hajdutit, përpiqen të mbrojnë Erion Veliajn.
Nga ana tjetër, tre rezoluta ndërkombëtare, kanë denoncuar botërisht Edi Ramën si njeriun e farsës elektorale.
Nga ana tjetër, atij i erdhi një paralajmërim shumë i fortë nga kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, zoti Chris LaCivita, i cili e paralajmëroi që të mos luajë me zgjedhjet sepse pasojat do të bien mbi të.
Pra, është ky kompleks faktorësh. Është edhe një klimë siç e keni ndjerë ju në diasporë, e cila është e krahasueshme me vitet 1991-
1992 që paralajmëron përmbysjen e pashmangshme të diktaturës me datën 11 maj.
Në procesin e bashkimit të PD, Partia Demokratike është treguar konsekuente në atë që ka shpallur. Ne shpallëm bashkimin në diversitet, sepse nuk mund të mohohet që për shkak të zhvillimeve dramatike, brenda grupit të deputetëve të PD, dhe në anëtarësi në një shkallë më të vogël, u përvijuan qëndrime të ndryshme.
Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores.
Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren.
Që të gjithë ata të cilët ushtrojnë veprimtarinë në shkelje të ligjeve të vendit, do bëhet një audit dhe një audit shumë i fortë.
Patronazhistët duhet ta kenë të qartë se krimi elektoral do jetë krimi më i ndëshkuar.
Prandaj t’i qëndrojnë ligjit, të zbatojnë ligjin, të mos bëhen pjesë e krimit të madh kushtetues me të cilin kërkojnë të shndërrojnë zgjedhjet në farsë elektorale.”, deklaroi Berisha.


