VIDEO/ "Ne merremi me përgatitjet e zahireve dimërore" - 8 Marsi, Denaj: Gratë janë frymëzim dhe forcë e pashtershme!
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vlerëson rolin e grave si shtyllë kryesore e familjes dhe e shoqërisë.
“Sot është dita për të nderuar forcën, dashurinë dhe sakrificën e gruas, shtyllën e familjes dhe shoqërisë. Qoftë në shtëpi, në punë apo në çdo fushë të jetës, gratë janë frymëzim dhe forcë e pashtershme”, u shpreh Denaj.
Ajo i cilësoi gratë rurale një forcë të madhe në sektorin e bujqësisë.
“Në çdo fushë të mbjellë, në çdo dorë të palodhur, në çdo traditë të ruajtur dhe në çdo sukses të arritur, gratë rurale janë forca që ushqen, ndërton dhe zhvillon. Ato janë zemra e bujqësisë, trashëgimisë dhe familjes shqiptare”, tha Denaj, teksa ndau në rrjete sociale videomesazhin e një zonje, që bashkë me disa gra të zonës, kanë ngritur një biznes për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dibrane.
“Ne jemi një grup grash që merremi me përgatitjet e zahireve dimërore si trahana, jufka, fruta të thata etj. Jami 14 gra që punojmë bashkërisht në grupe për përgatitjen e prodhimeve të ndryshme ushqimore që janë të kërkura nga tregu”, thotë ajo.
Bashkërisht grupi i grave ka ngritur edhe një pulari dhe një fermë të vogël me lope prej të cilave marrin vezët dhe qumështin si lëndë e parë për prodhimet që përgatisin.
Ajo tregon se çdo punë e përpjestojnë mes tyre, sa i takon angazhimit dhe të ardhurave që marrin. Bakllavatë dhe sheqerparet i bëjnë me porosi.
Ambicia e tyre është që të bashkojnë me grupin edhe vajza të reja, me qëllim që t’ia përcjellin traditën e përgatitjes së ushqimeve tradicionale brezit të ri.
Ato u bëjnë apel dhe grave në zonat e tjera rurale të krijojnë grupe si modeli që kanë ngritur, pasi “pa punë asgjë nuk vjen”.

