Gati projektligji për doganën “pa letër”, lehtësim i procedurave ndërkufitare për biznesin
Qeveria po punon për lehtësimin më tej të tregtisë dhe transportit ndërkufitar, përmes krijimit dhe vënies në funksionim të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganën.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nxori për konsultim publik projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e dritares së vetme kombëtare për doganat”, ku përcaktohen rregullat për krijimin dhe vënien në funksionim të saj dhe rregullat për bashkëpunimin administrativ dhe digjital mes autoriteteve doganore dhe autoriteteve të tjera kompetente bashkërenduese.
Thjeshtimi përmes “dritares” i procesit të përpunimit të informacionit që kërkohet për të përmbushur kërkesat rregullatore të lidhura me tregtinë, të cilat paraqiten si formalitete jodoganore, sjell përfitime si për autoritetet shtetërore, ashtu edhe për operatorët ekonomikë të cilët kryejnë aktivitet në fushën e import-eksportit.
Lehtësimi i përpunimit dhe qarkullimit të informacionit përmes “dritares”, përkthehet në krijimin e një mjedisi tërësisht elektronik “pa letër”.
Kuadri ligjor aktual është përmirësuar, përafruar dhe modernizuar vazhdimisht në përputhje me acquis të BE-së, duke ofruar një bazë solide për krijimin e “dritares”.
“Krijimi i kësaj “dritareje” do të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e procedurave ndërkufitare për vitet në vijim, duke u parë kjo në kuadër të angazhimit politik të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, thuhet në relacionin e projektligjit.

