Mbi 70 mijë pensionistë tërhoqën “bonusin e pranverës”
Mbi 70 mijë pensionistë kanë tërhequr “bonusin e pranverës” në dy ditët e para të nisjes së shpërndarjes.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se pensionistët kanë afat të tërheqin bonusin deri në fund të muajit shtator.
“70 295 pensionistë në të gjithë Shqipërinë kanë tërhequr bonusin e pranverës. 10 000 lekë bonus për pensionet bazë deri në 20 000 lekë; 5 000 lekë bonus për pensionet mbi 20 000 lekë. Bonusi mund të tërhiqet deri më 30 shtator 2025, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, u shpreh ministri.
Nga kjo politikë mbështetëse përfitojnë 730 430 pensionistë. Ndërkohë për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende bonusin e fundvitit, mund ta tërheqin atë deri më 30 qershor 2025.
Krahas punës për reformimin e sistemit të pensioneve me qëllim dhënien e një pensioni më dinjitoz, qeveria po mbështet pensionistët me bonuse.
Autoritetet në vend kanë bërë të ditur se skema e re e pensioneve do të jetë gati në fund të këtij viti.

