Pensionet me Italinë, Aliaj: Sot diskutohet në Senat! Qeveria shqiptare ka krijuar konfuzion, marrëveshja ende e pazbatuar
Në janar të këtij viti Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian miratoi marrëveshjen ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore të bërë në Romë më 6 Shkurt 2024.
Kjo ishte hallka e parafundit para se marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive të hyjë në fuqi, pasi më parë duhet të miratohet edhe nga Senati, i cili do të mblidhet pikërisht këtë të mërkurë dhe më pas të nisë zbatimi i saj
Për të kuptuar më shumë ekspertja për pensionet Beskida Aliaj, sqaroi në studion e lajmeve në “Ora News” se deri tani ka pasur një tymnajë dhe konfuzion për këtë marrëveshje.
“Në fakt për këtë konfuzion të krijuar ka përgjegjësi qeveria shqiptare, e cila deri më tani nuk i ka sqaruar njerëzit se kjo marrëveshje nuk ka nisur ende zbatimin e saj, pasi janë këto hallka në shtetin italian që duhet të kalojë drafti para hyrjes së tij në fuqi”, u shpreh ndër të tjera Beskida Aliaj.
Nga ana tjetër, ekspertja e pensioneve e cilëson këtë ngjarje si historike dhe tejet të vlefshme për shqiptarët që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj prej dekadash tashmë.
Ajo sqaroi po ashtu edhe procedurat që do të ndiqen për aplikimin në Itali për njohjen e kontributeve të punës si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
ÇFARË PARASHIKON MARRËVESHJA?
Marrëveshja rregullon pensionet dhe përfitimet e papunësisë, sëmundjes dhe lehonisë për ata që janë ose kanë qenë të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.
Më konkretisht, marrëveshja në fjalë parashikon që shtetasit shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, si dhe italianët që punojnë e derdhin kontribute në Shqipëri do t’u njihen vitet e punës për efekt pensioni dhe përfitimesh të tjera sociale.
Janë pothuajse 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali që pritet të përfitojnë nga njohja e pensioneve.
Marrëveshja është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 16 maj 2024. Nëntëdhjetë e dy deputetë votuan pro marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Italinë në një seancë disaorëshe.
Italia dhe Shqipëria firmosën marrëveshjen për sigurimet shoqërore pas 15 vitesh negociata, nga e cila do të përfitojnë pensionet shqiptarët që punojnë në Itali por dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë më 6 shkurt 2024 nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTEN E PENSIONEVE BESKIDA ALIAJ


