Plani i Rritjes, depozitohet në Kuvend marrëveshja me BE me fokus në 5 objektiva
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend marrëveshjen me Bashkimin Evropian për ndihmën financiare për reformat, në kuadër të Planit të Rritjes.
Marrëveshja e huas mes Bankës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për lehtësinë e reformave dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor parashikon 657 milionë euro kredi dhe 265 milionë euro grante që mund të përdoren për reformat, me fokus në 5 objektiva kryesore: rritjen e konkurrueshmërisë, kualifikimin e kapitalit njerëzor, konsolidimin e qëndrueshmërisë energjetike, transformimin digjital si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
“Ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, që do të mundësojë financimin e programit të sipërpërmendur, nëpërmjet akordimit të një huaje në vlerën 657 458 743.67 euro, i shoqëruar nga një grant WBIF, në shumën 264 6271 44.33 euro”, thuhet në relacionin e pr/ligjit.
“Objektivi i i këtij programi është çlirimi i potencialit ekonomik të vendit, përmes stimulimit të transformimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit për të hyrë gradualisht dhe i përgatitur në tregun e vetëm të BE-së, përmes forcimit të shtetit të së drejtës, me progres të vazhdueshëm në integrimin e përshpejtuar, konsolidimin e efikasitetin e reformave, dhe ecjes së qëndrueshme përpara në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në relacionin e depozituar në Kuvend.
Komisioni Evropian, më 8 nëntor 2023, në kuadër të paketës së zgjerimit 2023, lançoi nismën për propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është dhe mbështetja përmes instrumentit “Faciliteti për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor”.
Kjo iniciativë e re zhvillimore do të ofrojë mundësinë për mbështetje financiare, deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor si mbështetje nëpërmjet katër shtyllave të tij:
Integrim në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian;
Integrim rajonal;
Integrim i përshpejtuar përmes reformave kombëtare të rritjes;
Instrumenti financiar për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor.
Ky instrument është miratuar më 14 maj 2024, përmes rregullores 2024/1449 të Bashkimit Evropian “Për miratimin e facilitetit të reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Si parakusht për vendin për të aktivizuar mundësinë për të përfituar nga fondet e facilitetit të reformave dhe rritjes 2024-2027 për Ballkanin Perëndimor është hartimi dhe miratimi i dokumentit të politikës “Agjendës Kombëtare e Reformave 2024-2027”, në kontekstin e planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian.
AKR 2024-2027 përcakton reformat që duhet të ndërmerren nga përfituesi si dhe zonat e investimit, të cilat duhet të ofrojnë një kornizë gjithëpërfshirëse për arritjen e objektivave të lehtësisë në bazë të një marrëveshjeje lehtësie dhe një marrëveshjeje huaje që do të lidhen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe huamarrësit.
Prioritetet e reformave të përcaktuara në AKR 2024-2027 janë në përputhje me drejtimet prioritare që përcakton plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qëllim përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian, përshpejtimin e rritjes e të konvergjencës dhe përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal, me objektiv kryesor mbështetjen për dyfishimin e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, deri në vitin 2030.
Objektivat kryesorë të këtij programi janë të shumëfishtë, duke përfshirë aspekte të ndryshme të qeverisjes, zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror.
Objektivi 1: Rritja e konkurrueshmërisë dhe qeverisjes ekonomike
Objektivi i parë është konsolidimi i reformave që mundësojnë e mbështesin transformimin e mëtejshëm të Shqipërisë në një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese, e drejtuar nga qeverisja ekonomike transparente, infrastruktura ekonomike efikase dhe një kuadër ligjor i favorshëm për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e eksporteve, që përputhet me acquis dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Objektivi 2: Zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor – reformimi më tej i arsimit, për një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur nga piëkëpamja digjitale
Objektivi i dytë fokusohet në zhvillimin e kapitalit njerëzor, duke krijuar një sistem arsimor dinamik që pajis studentët dhe punonjësit me aftësitë përkatëse dhe kompetencën digjitale të nevojshme në ekonominë globale, duke nxitur inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë kombëtare, zhvillimin e produktivitetit dhe fuqisë punëtore të kualifikuar.
Në kuadër të këtij objektivi, përvijohen iniciativa të ndryshme të parashikuara si masa për rritjen e efektivitetit të sistemit arsimor profesional, përafrimin e tij me kërkesat në përgjigje të zhvillimeve dinamike të tregut të punës dhe rritjen e pjesëmarrjes aktive në tregun e punës, si dhe më gjerë, me zhvillimin e ekonomisë.
Objektivi 3: Ndërtimi i një shoqërie digjitale të sigurt, tё qёndrueshme dhe me shërbime të aksesueshme
Objektivi i tretë përqendrohet në transformimin digjital, duke krijuar një shoqëri digjitale udhëheqëse të zhvillimit dhe rritjes, ku infrastrukturat digjitale të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase mbështesin shërbimet publike dhe transformimin ekonomik e sigurojnë qëndrueshmëri kibernetike, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Objektivi 4: Konsolidimi i qëndrueshmërisë energjetike dhe integrimi i tregut shqiptar në atë të BE-së
Objektivi i katërt fokusohet në energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, me synimin për të transformuar Shqipërinë në një lider rajonal të energjisë, nëpërmjet adoptimit të standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, duke nxitur një treg konkurrues dhe transparent të energjisë, duke adresuar risqet nga varfëria energjetike dhe aspektet mjedisore, si dhe duke rritur përpjekjet e mëtejshme në tranzicionin e gjelbërt.
Objektivi 5: Konsolidimi i shtetit të së drejtës
Objektivi i pestë synon të kontribuojë në garantimin e pakthyeshmërisë së reformës në drejtësi dhe të konsolidojë më tej punën për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, nëpërmjet masave që luftojnë krimin e organizuar, parandalojnë dhe ulin incidencën e korrupsionit, rrisin efikasitetin e gjyqësorit dhe promovojnë transparencën dhe lirinë e shprehjes, në përputhje me standardet evropiane.
Ky projektligj propozohet të miratohet me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë që paraqet në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një prioritet kryesor i qeverisë shqiptare.
Përshpejtimi i procedurave të miratimit është i nevojshëm për të mbështetur dinamizmin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, të cilat janë pjesë e kushteve të integrimit, si dhe për të siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtyre reformave.
