Franca, Britania dhe Gjermania, thirrje Izraelit të sigurojë rrjedhjen e lirë të ndihmës në Gaza
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kërkuan të mërkurën Izraelit të sigurojë dorëzimin "e papenguar" të furnizimeve humanitare në territorin palestinez të Gazës, të shkatërruar nga lufta, duke paralajmëruar kundër përdorimit të ndihmës si një "mjet politik".
Një armëpushim i brishtë që nga 19 janari pa një fluks të ndihmave humanitare në Gaza, përpara se Izraeli të dielën të njoftonte se po bllokonte furnizimet, derisa grupi militant palestinez Hamas pranoi kushtet e tij për një zgjatje të armëpushimit.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit t'i bindet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të siguruar furnizim të plotë, të shpejtë, të sigurtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare për popullsinë në Gaza," thanë vendet në një deklaratë të përbashkët.
"Një ndalim i mallrave dhe furnizimeve që hyjnë në Gaza të tilla si ajo e njoftuar nga qeveria e Izraelit, do të rrezikonte shkeljen e ligjit humanitar ndërkombëtar," thanë ata.
"Ndihma humanitare nuk duhet të varet kurrë nga një armëpushim, apo të përdoret si një mjet politik."
Të tre vendet evropiane e përshkruan gjendjen humanitare në Gaza, si "katastrofike".
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës përfundoi gjatë fundjavës pas gjashtë javësh qetësie relative. Ato përfshinin shkëmbime të pengjeve izraelite të marra kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, për të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Ndërsa Izraeli ka thënë se dëshiron të zgjasë fazën e parë deri në mes të prillit, Hamasi ka këmbëngulur në një kalim në fazën e dytë të marrëveshjes, e cila duhet të çojë në një fund të përhershëm të luftës.
Nga 251 pengjet e marra në këtë datë, 58 mbeten në Gaza, duke përfshirë 34 që ushtria izraelite ka konfirmuar se janë të vdekur.
"Është jetike që armëpushimi të mbahet, të gjithë pengjet të lirohen dhe të sigurohen flukset e vazhdueshme të ndihmave humanitare në Gaza," thanë të tre vendet evropiane.
"Të gjithë pengjet duhet të lirohen pa kushte dhe Hamasi duhet t'i japë fund trajtimit të tyre degradues dhe poshtërues," shtuan ata.
