I vënë nën akuzë për korrupsion, kryeministri portugez Montenegro çon qeverinë e tij në votëbesim

Kryeministri portugez, Luís Filipe Montenegro njoftoi sot se do të kërkojë një votëbesim për qeverinë që drejton prej një viti, e cila mund të çojë në rënien e saj, nëse dy partitë më të mëdha opozitare nuk e mbështesin atë, siç kanë bërë deri më sot.

Në qendër të kësaj krize të re politike që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, të tretat që nga viti 2022, është një firmë konsulence në pronësi të familjes Montenegro.

Kjo kompani ka lidhur kontrata me kompani të tjera private, nga të cilat opozita thotë se ka përfituar kryeministri. Montenegro mohon se ka pasur ndonjë konflikt interesi.

"Vendi ka nevojë për sqarim politik, pasi nuk mund të mbetet rob i egoizmit dhe taktikave të opozitës,"- i tha kryeministri-parlamentit, duke shtuar se Portugalia nuk ka nevojë të shkojë në një zgjedhje të tretë, ndërsa partia e tij është gati për një të tillë.

Aktualisht është e paqartë se kur kërkesa e Montenegros do të hidhet në votim në parlament.

Socialistët dhe partia e ekstremit të djathtë Chega, të cilat së bashku kontrollojnë më shumë se gjysmën e vendeve në parlament, kanë thënë se do të refuzojnë mocionin e besimit ndaj qeverisë.

Në bazë të Kushtetutës kjo do të thotë se qeveria do të bjerë. Që nga viti 1974, pas rivendosjes së demokracisë, janë paraqitur 11 propozime të tilla dhe vetëm një u refuzua nga parlamenti, në vitin 1977.

Analistët presin që pas votimit, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Koalicioni qeverisës i qendrës së djathtë kontrollon vetëm 80 vende në parlamentin prej 230 vendesh. Socialistët kanë 78 deputetë dhe Chega 50.