Milani planifikon ndryshime në strukturën e futbollit, dy trajnerë në garë për të zëvendësuar Conceição-n
Vështirësitë që po kalon Milani e kanë detyruar klubin të mendojë për ndryshime në strukturën e futbollit, duke përfshirë emërimin e një drejtori sportiv me një rol kyç: zgjedhjen e trajnerit të ri që do të zëvendësojë Sérgio Conceição-n dhe menaxhimin e merkatos së transferimeve, raporton shtypi italian.
Sipas ‘Corriere dello Sport’, dështimet e fundit kanë nxitur një reflektim të thellë mbi strukturën që ka marrë vendime të rëndësishme gjatë viteve të fundit.
Kjo ka çuar në nisjen e një “revolucioni” brenda klubit, me dy emra kryesorë në diskutim për pozicionin e drejtorit sportiv: Igli Tare, ish-drejtor sportiv i Lazios, dhe Fabio Paratici, ish-drejtor i Juventusit dhe Tottenhamit.
Ibrahimovic, Furlani dhe Moncada në shënjestër për dështimet
Gazeta italiane thekson se përgjegjësia kryesore për sezonin zhgënjyes bie mbi Zlatan Ibrahimovicin (këshilltar i lartë i klubit), Giorgio Furlanin (administrator ekzekutiv) dhe Geoffrey Moncada-n (drejtor teknik), të cilët kanë marrë vendimet më të rëndësishme në lidhje me trajnerët dhe lojtarët.
Kush do të jetë trajneri i ri i Milanit?
Drejtori i ri sportiv, që pritet të zgjidhet deri në fund të javës, do të ketë liri të plotë për të vendosur mbi trajnerin e ardhshëm të Milanit. Dy emrat kryesorë në listë janë:
Roberto De Zerbi (aktualisht te Marseille), i cili u kontaktua edhe gjatë verës, dhe Massimiliano Allegri, ish-trajneri i Juventusit dhe Milanit.
Milani synon ta zgjidhë këtë çështje sa më shpejt për të planifikuar më mirë sezonin e ardhshëm.
