Amorim kërkon portier, e ardhmja e Onanas te Manchester United mbetet e pasigurt
André Onana është i vendosur të qëndrojë te Manchester United sezonin e ardhshëm. Trajneri i "Djajve të Kuq", Ruben Amorim, dëshiron të afrojë një portier të ri në merkaton e verës, por portieri kamerunas e konsideron United si klubin e vetëm ku dëshiron të luajë dhe nuk ka ndërmend të largohet, sipas raportimeve të Manchester ‘Evening News’.
Ish-lojtari i Interit ka luajtur 86 ndeshje me United dhe është nën kontratë me klubin anglez deri në vitin 2028, por gabimet e tij – dhe nuk janë të parat – gjatë muajve të fundit kanë vënë në dyshim të ardhmen e tij.
Portieri rezervë dhe përfaqësues i kombëtares turke, Altay Bayindir, mund të kërkojë një destinacion të ri nëse dëshiron më shumë minuta loje para Kupës së Botës 2026.
Për më tepër, me Kupën e Afrikës që do të zhvillohet nga dhjetori deri në janar 2025-26 dhe që ka një datë nisjeje të parashikuar më 18 dhjetor, United mund të mbetet pa portierin e tij titullar në një moment kyç të sezonit.
Ndërkohë, statistikat nuk e favorizojnë qëndrimin e Onanës, i cili renditet në vendin e 16-të për përqindjen e pritjeve mes 22 portierëve të Premier League dhe ka qenë në përgjithësi i paqëndrueshëm gjatë sezonit, pavarësisht investimit mbi 50 milionë euro nga Interi.
Por, nëse Manchester United do të vendoste ta shiste Onanën, do t’i duhej të siguronte një shumë prej 34 milionë eurosh për të shmangur një humbje financiare sipas rregullave të qëndrueshmërisë dhe fitimit në Premier League.
Ndërkohë, trajneri Amorim e ka mbrojtur publikisht Onanën dhe e ka konsideruar të padrejtë fajësimin e tij për golin e barazimit të shënuar nga Jaden Philogene ndaj Ipswich.
“Ai bëri disa pritje të mëdha që e shpëtuan ekipin tonë, dhe ndonjëherë ka probleme, por kjo është normale. Këto gjëra ndodhin. Duhet vetëm ta mbështesim André, të harrojmë të kaluarën dhe të përgatitemi për të ardhmen,” tha ai.
