53 miliardë dollarë për rindërtimin e Gazës/ Egjipti prezanton planin në dy faza
Egjipti ka paraqitur një plan prej 53 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës gjatë pesë viteve, bazuar në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë, sipas një dokumenti të parë nga Agencia "France-Presse".
Plani që po diskutohet në samitin e Jashtëzakonshëm të vendeve arabe në Kajro parashikon dy faza rindërtimi dhe propozon krijimin e një fondi nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, i cili do të garantojë efektshmërinë dhe qëndrueshmërinë e financimit si dhe transparencën.
Gjatë hapit të parë, i cili do të zgjasë gjashtë muaj, do të duhet të pastrohen rrënojat, të hiqen minat dhe predhat e pashpërthyera, ndërsa banorët do të vendosen strehimore të përkohshme. Gjatë kësaj faze, do të zgjidhen shtatë vende për të strehuar më shumë se 1.5 milion njerëz në shtëpi të parafabrikuara, secila prej të cilave mund të strehojë mesatarisht gjashtë banorë. Gjithashtu është planifikuar të riparohen 60,000 shtëpi të dëmtuara, të cilat mund të strehojnë 360,000 njerëz.
Faza e rindërtimit do të zhvillohet në dy kohe, në një periudhë 5 vjeçare.
Faza e parë do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe buxheti i saj është 20 miliardë dollarë. Gjatë kësaj kohe, duhet të ndërtohet infrastruktura e nevojshme, si rrugët dhe objektet e shërbimit publik.
200,000 strehimore të përhershme do të ndërtohen gjithashtu për 1.6 milion njerëz dhe do të shpërndahen 8.100.000 hektarë tokë të punueshme. Në fazën e dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2030 dhe do të kushtojë 30 miliardë dollarë, synimi është kompletimi i infrastrukturës dhe krijimi i zonave industriale, një port peshkimi, një port tregtar dhe një aeroport.
Kajro synon të thërrasë një takim ministror ku do të përfshihen vendet donatore, institucionet ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale, sektorin privat dhe shoqëria civile, në mënyrë që të mobilizohen burimet e nevojshme.
Në bazë të planit, do të krijohet një komitet i administrimit të Gazës, nën kujdesin e qeverisë palestineze, i përbërë nga teknokratë dhe personalitete të pavarura. Komiteti do të menaxhojë enklavën gjatë periudhës gjashtëmujore të tranzicionit. Kjo masë përshkruhet si një fazë derisa Autoriteti Palestinez, me qendër në Bregun Perëndimor, të marrë kontrollin e plotë të Gazës.
Egjipti dhe Jordania do të trajnojnë forcat palestineze të sigurisë dhe do t'i përgatisin ato për të marrë përgjegjësinë për ruajtjen e rendit në enklavë.
Plani i referohet gjithashtu mundësisë së pranisë së një " force ndërkombëtare " në territoret palestineze, e cila do të vendosej në bazë të një rezolute të mundshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të ishte përgjegjëse për ruajtjen e paqes ose mbrojtjen e Gazës dhe Bregut Perëndimor. Dislokimi i paqeruajtësve është pjesë e një plani më të gjerë kohor me qëllimin përfundimtar të krijimit të një shteti palestinez dhe forcimit të institucioneve të tij.
Dokumenti pranon se do të jetë një sfidë, të merret me grupet e armatosura të Gazës, duke vënë në dukje se problemi mund të zgjidhet nëse zbatohet një proces i besueshëm politik për të rivendosur të drejtat palestineze dhe për t'u ofruar atyre një perspektivë për të ardhmen.