Tarifat amerikane mbi Kinën, Kanadanë dhe Meksikën hapin derën e luftës tregtare globale
SHBA ka filluar të vendosë tarifa të reja importi prej 25 për qind për mallrat nga dy vendet fqinje. Tarifat ekzistuese mbi mallrat kineze janë dyfishuar gjithashtu nga 10 në 20 për qind.
Ndërsa të tre vendet e prekura njoftuan se do të hakmerren, filluan të njoftohen tarifa të reja mbi mallrat e SHBA. Masat dhe kundërmasat e reja, prekin rreth 2.2 trilionë dollarë mallra në vit.
Masa e fundit nga Trump, i cili beson se SHBA po trajtohet padrejtësisht në tregtinë globale dhe argumenton se shumë vende vënë tarifa më të larta mbi mallrat e SHBA, u prit negativisht në tregjet financiare, ndërsa çmimet e aksioneve të SHBA ranë anembanë botës.
Në SHBA, indeksi S&P 500 ra 1.75 për qind mbrëmë, ndërsa Nasdaq i rëndë në teknologji ra 2.64 për qind.
Peso meksikan dhe dollari kanadez, gjithashtu u amortizuan kundrejt dollarit amerikan.
Trump i justifikoi veprimet e tij me politikën e tij të drogës, duke pretenduar se të tre vendet nuk kishin bërë aq sa duhet për të ndalur rrjedhjen e opioideve vdekjeprurëse fentanyl dhe kimikateve pararendëse në Shtetet e Bashkuara.
Trump ka thënë gjithashtu se dëshiron të përdorë tarifat, për të nxitur ekonominë amerikane dhe për të krijuar vende pune.
Në këtë kontekst, Presidenti i SHBA Trump u bëri thirrje kompanive të ngrenë struktura prodhimi në vendin e tij dhe tha: "Në këtë rast, nuk do të ketë tarifa."
Cili vend u përgjigj dhe si?
Nga ana tjetër, të tre vendet e prekura nga tarifat po marrin kundërmasa. Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi një tarifë urgjente prej 25 për qind për importet amerikane, me vlerë 20,7 miliardë dollarë.
Në qoftë se tarifat e Trump janë ende në fuqi 21 ditë më pas, më shumë tarifa do të vihen mbi mallra me vlerë 86.2 miliard $.
Trudeau kishte njoftuar më parë se Kanadaja do të synonte disa pije alkoolike dhe pajisje shtëpiake nga SHBA dhe lëng portokalli nga Florida, duke thënë: "Tarifat do të prishnin një marrëdhënie tregtare jashtëzakonisht të suksesshme."
Trudeau tha gjithashtu se do të shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë midis Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë, të cilën Trump e nënshkroi gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Ministria e Ekonomisë e Meksikës njoftoi sot gjithashtu se do të vendosë masat kundër Shteteve të Bashkuara në Mexico City.
Tarifat mbi prodhimet meksikane dhe kanadeze mund të kenë një ndikim shumë më serioz në ekonominë e Amerikës së Veriut, tha Meksika, duke shtuar se prodhuesit amerikanë të automobilave, makinerive, energjisë dhe prodhimeve bujqësore kanë nevojë për prodhime nga këto vende.
Kina, nga ana tjetër, njoftoi sanksione ndaj kompanive amerikane, duke vendosur tarifa shtesë për disa produkte bujqësore dhe ushqimore të importuara nga ky vend, kundër vendimit të Trump për të rritur normën tarifore për të gjitha produktet e importuara në 20 për qind.
Në deklaratën e bërë nga Ministria kineze e Tregtisë, u raportua se do të vendoset një taksë doganore shtesë prej 15 për qind për importin e pulave dhe prodhimeve bujqësore si elbi, misri dhe pambuku nga SHBA dhe 10 për qind mbi importin e sojës, derrit, mishit të viçit, frutave, perimeve dhe produkteve qumështore.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga 10 marsi, thoshte deklarata, "Vendimi i njëanshëm tarifor i SHBA, shkel rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Kina do të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme, në përputhje me rregullat e OBT-së dhe do të vazhdojë të mbrojë sistemin tregtar shumëpalësh dhe rendin ekonomik ndërkombëtar," thoshte deklarata.
Si pjesë e vendimit, Kina shtoi 15 kompani amerikane në listën e saj të kontrollit të eksportit dhe shtoi 10 kompani amerikane në "listën e njësive jo të besueshme", me arsyetimin se ato luajtën një rol në shitjen e armëve dhe bashkëpunimin ushtarak me Tajvanin, me të cilën Kina ka një mosmarrëveshje sovraniteti.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit njoftoi se do të "mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të Kinës," duke vënë në dukje se nëse Shtetet e Bashkuara duan të nisin një luftë tregtare apo tarifore, ata do t'i rezistojnë asaj deri në fund.
Tarifa amerikane e një tarife shtesë prej 10 për qind mbi mallrat kineze hyri në fuqi më 4 shkurt.
Me një vendim tjetër të Trump, tarifa për këto mallra u rrit nga 10 në 20 për qind.
Arsyeja për këtë ishte kriza e fentanyl në SHBA. Kjo do të thotë një tarifë prej 20 për qind përveç tarifave ekzistuese, të cilat më parë ishin deri në 25 për qind. Të gjitha këto tarifa u vendosën nga Trump në vlerë rreth 370 miliardë dollarë të importeve të SHBA-së gjatë mandatit të tij të parë.
Luftërat tregtare në mandatin e parë të Trumpit, u dhanë një goditje të rëndë fermerëve amerikanë. Fermerët humbën rreth 27 miliardë dollarë në shitjet e eksportit dhe iu desh të humbnin pjesën e tregut në Kinë ndaj Brazilit.
Trump, i cili ka njoftuar se do të rrisë "absolutisht" tarifat mbi produktet e BE-së, në mënyrë që të zvogëlojë deficitin e tregtisë së jashtme dhe të mbështesë prodhimin vendas, dëshiron të vendosë një tarifë prej 10 ose 20 për qind për të gjitha importet nga BE.
Analistët e kanë përshkruar veprimin e fundit të Donald Trump, si "një lojë që mund t'i vërë flakën ekonomisë botërore."
