Kina vendos tarifa të reja mbi importet amerikane
Kina reagoi sot kundër rritjes së tarifave nga SHBA duke shpallur tarifa të reja për importet kryesore bujqësore dhe duke vendosur kufizime shtesë për kompanitë amerikane.
Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se duke filluar nga 10 marsi, Kina do të vendosë një tarifë 15% për pulat, grurin, misrin dhe pambukun e importuar nga Shtetet e Bashkuara.
Produktet e tjera bujqësore, duke përfshirë sojën, mishin e derrit dhe viçit, do t’i nënshtrohen një takse shtesë prej 10%.
Kina paralajmëroi gjithashtu se më shumë kompani amerikane do të shtohen në listën e saj të subjekteve jo të besueshme, duke çuar potencialisht në kufizime ose ndalime të plota për të bërë biznes në Kinë.
Lëvizja vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv, duke dyfishuar tarifat për importet kineze nga 10% në 20%.
Shtëpia e Bardhë e justifikoi rritjen duke vënë në dukje kontrabandën e vazhdueshme të fentanilit kinez. Ndërkohë, tarifat për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja gjithashtu hynë në fuqi sot, sipas raporteve nga mediet amerikane.
“Presidenti Donald J. Trump po vazhdon me zbatimin e tarifave ndaj Kanadasë dhe Meksikës”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të lëshuar mbrëmjen e djeshme, pak para se tarifat të hynin në fuqi në mesnatë (05:00 GMT).
Tarifat prej 25% për importet nga Kanaja dhe Meksika shënojnë një përshkallëzim të mprehtë të tensioneve tregtare, duke rritur frikën për një luftë tregtare në Amerikën e Veriut me pasoja të paparashikueshme për ekonominë globale.
Lajmi shkaktoi rënie të tregjeve financiare.
