Nesër është thirrur të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, a do të refuzojë Kurti për të tretën herë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 4 mars është urdhëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të paraqitet në Prokurorinë Speciale për ta dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit, në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Ndërkohë mediat në Kosovës raportojnë se po në orën 10:00 kur do të jetë seanca për të dhënë dëshminë, Kurti është ftuar që të shkojë në Gjilan për vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re.

Ky lajm është konfirmuar edhe nga një ftesë e publikuar për mediat nga Ministria e Arsimit. Sipas këtij njoftimi, Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të jenë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re në orën 10:00.

“Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në agjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftim.

Në dhjetorin e vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Kurti refuzoi të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e mori më 16 dhjetor por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë.

Katër ditë më vonë, Kurti mori sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht. Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet. Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.