Protestat masive në Nish/ Vazhdojnë deri në orën 3 pas mesnate
Filloi sot në Nish protesta e “Ediktit Studentor” e nxitur nga vdekja e 15 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar. Kjo është protesta e pestë masive dhe do të zgjasë deri në orën 3 pas mesnate.
Studentët, u nisën në mëngjes nga fakultetet e Nishit drejt qendrës së qytetit, ku do t’u bashkohen qytetarët e Nishit dhe mijëra persona nga vendet përreth dhe e gjithë Serbia.
Trafiku në qendër të qytetit është bllokuar, ndërsa përgatitjet për pritjen e mijëra protestuesve kanë nisur që nga mëngjesi. Studentët nga qytete të ndryshme të Serbisë arritën në Nish mbrëmjen e djeshme. Pasi përshkuan deri në 200 kilometra në këmbë, ata u pritën me ovacione dhe një shpërthim emocionesh. Po kështu, gjatë rrugës u mirëpritën dhe u përcollën me mbështetje në qytetet dhe vendbanimet nga të cilat kaluan, ku banorët u siguruan ushqim dhe pije, ndërsa shumë prej tyre iu bashkuan rrugëtimit drejt Nishit.
Protesta do të zgjasë 18 orë në mënyrë simbolike, pasi 018 është kodi telefonik i Nishit. Protesta solidariteti dhe momentet përkujtimore me bllokim trafiku mbahen çdo ditë nga ora 11:52 deri në 12:07, në të njëjtën kohë kur ndodhi shembja fatale e strehës.
