Osmani takim me ambasadorin e BE-së, shprehu rëndësinë e largimit të masave të padrejta të vendosura ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti ditën e sotme në Presidencë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. Presidenca e Kosovës përmes një postimi në "Facebook" bën me dije se gjatë takimit Osmani dhe Orav biseduan për zhvillimet më të fundit në vend, procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së. Presidenca njofton se në takim u diskutua gjithashtu për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim.
“Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.
Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës. Ajo gjithashtu vuri theksin edhe njëherë për rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.
