Rama: Shpejtësia e negociatave të Shqipërisë, unikale në krahasim me vendet e tjera
Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në vazhdën e takimeve me asambletë socialiste në kryeqytet, ka takuar sot socialistët e njësive 1, 2, Pezë, Ndroq dhe Vaqarr.
Në fjalën e tij të hapjes, Rama u ndal te procesi i integrimit dhe rëndësinë e veçantë që kanë zgjedhjet e 11 majit, jo vetëm për vendin, por edhe për momentin aktual që përkon me përputhjen e rrethanave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
“Duhet të ndajë me ju një bindje shumë të fortë timen personale që këto zgjedhje kanë një rëndësi shumë të veçantë jo për Partinë Socialiste, se për PS-në të gjitha zgjedhjet kanë pasur rëndësi të veçantë për një arsye ose një tjetër.
Por, kanë një rëndësi të veçantë për Shqipërinë sepse përkojnë me një moment historik shumë të veçantë kur rrethanat tona dhe ato evropiane janë përputhur dhe faktikisht na është hapur një dritare mundësie shumë e madhe, po njëkohësisht edhe shumë e lidhur me këtë periudhë që do të thotë që nuk është një dritare që do rrijë hapur aty pafund, por mund të jetë një dritare që mund të mbyllet ashtu siç u hap”, tha Rama.
Kryeministri tha se: “Kaq e vërtetë është kjo saqë ne i kemi filluar negociatat konkretisht vitin e shkuar pasi u çliruam edhe nga vetoja greke, për arsyet që ju i dini dhe sot nëse bëjmë një bilanc të procesit, ne kemi procesin më të shpejtë nga të gjithë të tjerët para nesh.
Jo se e kemi sepse e kemi bërë më shpejt se gjithë të tjerët detyrat tona, por sepse vullneti nga ana e tyre është një vullnet shumë i veçantë për shkak të rrethanave historike dhe momentit në të cilin ndodhet BE dhe faktikisht kemi hapur grupkapituj dhe do të vazhdojmë të hapim grupkapituj.
Kemi marrë dy letra të tjera për dy hapje të tjera në një kohë shumë të shkurtër, fund janari fillim shkurti”.
Rama pohoi nga takimi me asambletë socialiste 1 dhe 2 se njëherësh po punohet për hapjen e grupkapitujve të tjerë ndërsa korniza e vendosur mes Shqipërisë dhe BE-së është fundi i vitit 2027.
“Është jashtëzakonisht ambicioze, unikale. Nuk e ka bërë njeri këtë, se ka bërë asnjë vend tjetër. Mal i Zi që është në të njëjtin tren me ne, këto që po bëjmë ne sot ka vite që i bën dhe e gjitha kjo ka të bëjë me rrethanat.
Kjo është kaq e ngushtë si hapësirë kohore, saqë edhe gjashtë muaj mund ta ndryshojnë komplet gjithë trajektoren.
Para se të vija këtu po komunikonim me një pjesë të anëtarëve të kabinetit për një dokument që duhet të prodhojmë me shumë shpejtësi tani dhe kaq i shpejtë është procesi sa Këshilli Evropian po na shkruante që nesër do jua çojmë në formë dixhitale, të hënën në formë të shkruar, në hard copy, por kjo gjë duhet bërë urgjent.
Tre herë që Komisioni Evropian ka bërë vlerësimin teknik tha është gati, i çoi Këshillit Evropian kërkesën dhe doli Holanda, në fillim ishte bashkë me Francën, pastaj ishte edhe një shtet tjetër që nuk dilte po vinte bashkë me këta dy të tjerë, u fut dhe Danimarka, por ishin të gjitha gjërat që nuk lidheshin fare me ne, lidheshin me axhendën e tyre të brendshme, me nevojat e tyre elektorale, me qasjen e tyre ndaj zgjerimit, pra ishte një proces normaliteti në Evropë që ka mbajtur për shumë vite vendet e tjera edhe që na mbajti edhe ne në një ritëm shumë më të ulët seç mund të ishte”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se gjatë këtyre dy viteve e gjysmë deri në fund të 2027-ës, duhet t’i merret maksimumi çdo dite dhe minute sepse volumi i punës është i jashtëzakonshëm dhe negociatorët në këtë proces janë ata që e dinë më mirë shkallën e vështirësisë.
“Adea që është këtu që drejton negociatat për pjesën më të rëndë të procesit që është për shtetin e së drejtës dhe Themeloret e di se ça intensiteti është ky, ligjet që duhet të bëjmë ne etj.
Mbase e keni parë që ne kemi bërë një inovacion shumë të vlefshëm me inteligjencën artificiale për përkthimin dhe impaktin e të gjithë ligjeve që duhet t’i kthejmë në pjesë të legjislacionit tonë.
Duhet të vlerësoni faktin që ky është një moment historik, për ne që kemi një kapacitet drejtues në të çdo nivel që përfaqësojmë të tjerë në PS është një mision patriotik.
Këtë dritare të hapur për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe të ndjejmë që është fat që në këto kushte të kesh në dorë më shumë se sa votën tënde si qytetar, por një instrument si PS një forcë për të vënë në dispozicion të vendit”, pohoi Rama.
Sipas kryeministrit, “anëtarësimi i Shqipërisë në BE është ngritja e dytë e flamurit, në 1912 ishte pavarësimi nga perandoria dhe shpallja e sovranitetit të shqiptarëve mbi territorin e Shqipërisë.
Por, vazhdimësia ka qenë një histori shumë e ngatërruar dhe shumë e vështirë për shqiptarët për 1001 arsye që nuk është vendi t’i diskutojmë”.
“Futja në BE është që në këtë kornizë sovraniteti ne të garantojmë lirinë individuale, barazinë para ligjit dhe standardet bashkëjetesës demokratike. Të treja këto mund të garantohen vetëm duke qenë pjesë e asaj familjeje.
Të treja këto nuk arrihen për një vend si i yni, që ka histori kaq të rënduar me trauma dhe kaq pak traditë institucionale, nëse nuk kanë fatin që kemi ne që duke qenë në mes të Evropës të kemi mundësinë të bëhemi pjesë e BE.
Unë këtë e shoh si fat, shansin e madh që të marrë hak, si një mundësi për të marrë hak dhe shqiptarët e këtij momenti për të marrë hak për të gjithë llojet e poshtërimeve dhe rrëzimeve të shumë kohërave”, theksoi Rama.
Të gjithë këtë angazhim të tijin, por edhe forcës politike që ai drejton deri në zgjedhjet e 11 majit dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, kryeministri e quan një si një moment për të marrë hak ndaj gjithë poshtërimeve që u janë bërë shqiptarëve ndër vite.
“Dhe nga ana tjetër për të bërë që haku i atyre që do ta jetojnë BE, haku i atyre që janë sot fëmijë të mos hahet më nga askush.
Vetëm duke u futur në BE bëhet relative se kush qeveris në Shqipëri në raport me ato që janë Themeloret që thashë, liri individuale, barazi para ligjit dhe standardet demokratike.
Nëse mbyllim negociatat deri në 2027 kemi kohë që të mbyllim ratifikimin në 27 parlamentet që duhet të votojnë për ta pranuar Shqipërinë si anëtare dhe deri 2030 mund të ndjehemi të përmbushur në gjithë këtë përpjekje që kemi bërë duke u përfshirë në këtë lëvizje”, nënvizoi Kryeministri.
