''Formati ka ndryshuar, do kenë funksionin e kualifikuesve'', Nuri shpjegon për 'Ora News' si do funksionojnë Primaret në PD
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri në një intervistë në Ora News shpjegoi se si do të funksionojnë Primaret që do mbahen në Partinë Demokratike.
Nuri: Po është e vërtet që PD ka mbajtur Primare edhe në të shkuarën.
Kësaj radhe janë primare që do të jenë për zgjedhjet për Kuvend dhe kjo është risia pasi është hera e parë që zhvillohen primare për këtë lloj formati për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Ndryshe nga dy vite më parë kur bëhej fjalë për primare që do të përzgjidhej kandidati i vetëm për bashkinë në çdo lloj në të gjitha bashkitë e vendit, kësaj radhe meqenëse edhe kandidimi do jetë mbi bazë liste në të 12 qarqe të vendit, formati i primareve ka ndryshuar.
Nuk është e njëjta dhe nuk mund të jetë e njëjta gjë.
Kësaj radhe do të ketë një bazë të gjerë kandidaturash që janë administruar dhe kanë ardhur pranë PD dhe Primaret do të kenë funksionin e kualifikuesve.
Pra të gjithë kandidatët që do të garojnë në një zonë të caktuar, po themi në Tiranë ka mbi 80 kandidatë në primare do kualifikohen vetëm një pjesë e tyre që do arrijnë të marrin një numër të caktuar votash një minimum votash dhe në bazën e kësaj dhe duke marrë parasysh edhe kriterin gjinor më pas kryesia e PD dhe kryetari i partisë do përcaktojnë listën finale të kandidatëve për deputetë.
