Regjistrohen edhe 2 parti politike për zgjedhjet e 11 majit, miratohen elementët e fletës së votimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi regjistroi sot si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 11 maj partinë “Partia Aleanca Socialiste Shqiptare”, dhe partinë “Aleanca Europiane Ekologjike”.

Partia “Aleanca Konservatore Për Shqipërinë”, me kryetar Altin Goxhaj tërhoqi kërkesën e saj për regjistrimin si subjekt zgjedhor.

Në seancën e sotme, gjithashtu u miratuan disa elementë përmbajtësorë të fletës së votimit, të cilat pavarësisht përmbajtjes së fletës së votimit që do të miratohet rast pas rasti, do të jenë të njëjtë në çdo tip të fletës së votimit pavarësisht zonës zgjedhore përkatëse.

Fleta e votimit do të përmbajë stemën e Republikës, logo KQZ, elementë në formën e tekstit (Republika e Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Fletë Votimi, Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 11 maj 2025, qarku, QV nr., emri i subjektit zgjedhor, emri dhe mbiemri i kryetarit të subjektit zgjedhor, shkronjat nistore të subjektit, numri rendor emër/mbiemër i kandidatëve në listën shumemërore të cilët marrin votë preferenciale, emër/mbiemër i kandidatëve në listën shumemërore) dhe elementë në formën e kuadrateve (kuadrat ku bëhet shënimi i votuesit, kuadrat ku vendoset emri i subjektit, kuadrat ku vendoset logo e subjektit, kuadrat ku vendoset numri rendor).

KSHZ shpërndau edhe fondet vjetore të partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2025.

Fondi prej 345 600 000 (treqind e dyzet e pesë milionë e gjashtëqind mijë) lekësh u shpërnda:

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) 151.494.783 Lekë

Partia Demokratike (PD) 106.661.181 Lekë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) 9.753.658 Lekë

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) 8.018.647 Lekë

Partia Republikane Shqiptare (PR) 11.488.669 Lekë

Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë (PAA) 8.018.647 Lekë

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) 8.018.647 Lekë

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) 8.018.647 Lekë

Partia e Lirisë (PL) 15.577.215 Lekë

Partia Social Demokrate (PSD) 12.266.269 Lekë

Partia Nisma Thurje (NTH) 6.283.636 Lekë

Gjithashtu, sot u shqyrtuan administrativisht  disa denoncime. Ndërkohë, në përfundim të shqyrtimit administrativ për denoncimin nr. 16, 18, 19, 20, 21 të depozituara nga organizata KRIIK u vendos pushimi i hetimit administrative ndaj disa institucioneve.