Dje ishte Kafka, sot bëhet Mesia, Veliaj nga qelia: Nuk janë miratuar kërkesat e krerëve të kultit fetar për të më takuar mua!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia duke denoncuar akuzat që i janë bërë lidhur me korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit.

Ai u shpreh se ndryshe nga të paraburgosurit e tjerë, për të nuk ka pasur asnjë miratim për takime, duke theksuar se nuk janë miratuar as kërkesat e drejtuesve fetarë të kulteve, që prej ditësh kanë kërkuar takime me kryebashkiakun.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se ndodhet në një situatë të padrejtë dhe se vazhdon të luftojë për të vërtetën, ndërsa akuzon se po përballet me një kurth politik që daton që nga viti 1991.

Ai thekson se ka provuar me fakte se akuzat lidhur me bizneset e tij janë të pabaza dhe të motivuara nga interesa të ulëta. Veliaj sqaron se ai dhe familja e tij banojnë në apartamentin e tij në Kodrën e Diellit para se të bëhej ministër e kryebashkiak dhe se është i lidhur me projektet e Tiranës që kanë përfshirë punën me disa kryetarë bashkie të mëparshëm.

Një nga akuzat e tij të fundit lidhet me udhëtimin në Roterdam në 2016, për të cilin thotë se ka qenë me ftesë nga OMA (Office of Metropolitan Architecture) dhe se udhëtimi ka qenë për punë, me shpenzime të mbuluara nga organizata të huaja. Ai thekson se gruaja e tij nuk ka qenë në këtë udhëtim dhe akuzat që lidhen me të janë të pabaza.