DOSJA E 2018-ës/ Gazetari Edison Vatnikaj zbardh sagën e përplasjeve në Shkodër

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj në një intervistë në studion e lajmeve zbardhi përplasjet mes familjeve Bajri dhe Lici në Shkodër. 

Vatnikaj: Ne gazetarët e kronikës e kemi pasur të qartë mënyrën se si ka operuar në fushë betejë mund të themi në një farë mënyre SPAK referuar Shkodrës për shkak se Safet Bajri është arrestuar për një ngjarje të vitit 2018 në Shkodër në Kiras ku është vrarë Fatbardh Lici xhaxhai i Ibrahim Licit që sipas SPAK dhe policisë familja Lici mund të themi hapur që është armike e një familjeje tjetër në zonën e Dobraçit, atë të familjes Bajri në Shkodër.

E gjithë situata vrasjes së Fatbardh Licit ka filluar tre javë më parë me ekzekutimin e ish punonjësit të policisë së Fushë Arrëzit, Boran Berçana, i cili u vra në automjetin tip ‘Benz’ së bashku me bashkëjetuesen Silvia Ndoci dhe fatmirësisht nuk preku asnjë plumb fëmijën dy vjeç i cili ishte në sediljen e pasme.

Behar Bajri që tashmë është nën akuzë për ‘’Metamorfozën’’, por tani i është komunikuar edhe një masë tjetër sigurie për vrasjen e Fatbardh Licit, mendonte dhe kishte planifikuar e organizuar sulmin ndaj Fatbardh Licit pikërisht si hakmarrje për Ibrahim Licin pasi të paktën Behar Bajri mendonte se pas vrasjes së Boran Berçanës i cili ishte lidhja më e ngushtë e familjes Bajri fshihet pikërisht Ibrahim Lici.

Dhe në një mënyrë për të marrë hakun e Berçanës, Behar Bajri, Astmer Bilali që është një mik I familjes Bajri dhe Safet Bajri kanë organizuar dhe kanë shkuar pikërisht në Kiras për të vrarë Fatbardh Licin.