Atletja dhe diplomatja korçare Pavlina Evro feston ditëlindjen jubile, Prefekti Jole e nderon me “Çertifikatën e Mirënjohjes”

Në qytetin e Korçës u organizua një mbrëmje me rastin e përvjetorit jubile të lindjes së ikonës së atletikës shqiptare, zonjës Pavlina Evro.

Prefekti i qarkut të Korçës z.Nertil Jole i dorëzoi asaj Çertifikatën e Mirënjohjes nga institucioni i Prefektit të Qarkut për kontributin e çmuar në zhvillimin e sportit në qytetin e Korçës dhe rezultatet elitare në përfaqësim kombëtar, si dhe për figurën e saj të profilit të lartë sportiv e qytetar.

Atletja dhe diplomatja korçare Pavlina Evro feston ditëlindjen

“Sportistja rekordmene Pavlina Evro ka fituar respektin dhe mirënjohjen e bashkëqytetarëve të Korçës dhe bashkëkombësve të saj për gjithçka ka bërë për emancipimin e mëtejshëm të sportit e shoqërisë dhe emocionet që ka falur në qytetin tonë, por jo vetëm. Vlerësim gjithashtu për përfaqësimin dinjitoz si diplomate dhe shërbimin e pakursyer ndaj bashkatdhetarëve tanë në Greqi, gjatë kohës kur ka mbajtur detyrën e Konsulles së Përgjithshme në Selanik”, shkruan Jole në Facebook.

Ai gjithashtu shpreh respektin e tij për gjithë vetaranët e sportit korçar që ishin të pranishëm në gëzimin e ish-atletes së njohur Pavlina Evro.