Nis edicioni i 3-të i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, Manastirliu: Marrin pjesë mbi 11 mijë nxënës të klasave IX

Në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit nis sot në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare edicioni i 3-të i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një video të publikuar në rrjete sociale, tha se “në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, shpallim nisjen e edicionit të 3-të të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një traditë e bukur tashmë që i kthen shkollat tona në qendra të debatit gjuhësor dhe krijimtarisë, ku nxënësit e klasave të 9-ta testojnë njohuritë gjuhësore, mendimin kritik dhe aftësinë e tyre për të komunikuar me qytetari”.

“Bashkë me dy ekipet fituese të vitit të kaluar, ju urojmë suksese mbi 11 mijë nxënësve që do të bëhen pjesë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe 2025. Në fund ajo që fiton është gjithmonë gjuha e bukur shqipe”, tha Manastirliu.

Nis edicioni i 3-të i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe,

Ministrja Manastirliu u shpreh se “jam e bindur që edhe më shumë promovimi edhe ruajtja e gjuhës shqipe do të bëjë që kemi edhe më shumë mbështetje për të gjitha aspektet që lidhen me edukimin për gjuhën, por nga ana tjetër edhe me një temë që është shumë sensibël në këtë kohë edhe që lidhet edhe me ruajtjen e gjuhës shqipe në epokën digjitale”.

Gjithashtu, tha Manastirliu, jam e bindur që përmes ideve kreative që nxënësit tanë do të përcjellin edhe përmes shfletimit të historisë edhe të letërsisë shqiptare do të kemi mundësi që këtë edicion për rreth 3 muaj ta bëjmë një laborator të madh të gjuhës shqipe, në të gjitha shkollat tona.

Rëndësia e këtij konkursi qëndron jo vetëm në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhën shqipe, por edhe në kontributin e tij ndaj forcimit të identitetit kombëtar dhe kultivimit të një brezi të ri të përkushtuar ndaj trashëgimisë së tyre kulturore.

Përmes kësaj nisme, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë dhe të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën shqipe, duke u bërë ambasadorë të saj brenda dhe jashtë kufijve të vendit.