"aDigital Perspective"/ Ekspozita ndërkulturore që sjell Fondacioni Mane dhe Ambasada Italiane në "GOCAT"
Çelet ekspozita ndërkulturore “aDigital Perspective” në Galerinë “GOCAT”, si fryt i bashkëpunimit mes Fondacionit Mane dhe Ambasadës Italiane në Tiranë.
Kjo ekspozitë që vjen si një projekt i ideuar nga Institutet Italiane të Kulturës në Tiranë, Beograd dhe Bukuresht, sjell për artdashësit e kryeqytetit veprat analoge të 10 artistëve të rinj, italianë dhe ballkanikë, të cilët, qëllimisht, trajtojnë perms instalacionit, fotografisë e pikturës, ndikimin e dixhitalizimit në art.
Marco Bassan, themeluesi i “Spazio Taverna”, qendër e njohur multi disiplinare e artit bashkëkohor në Itali, prononcohet për Ora News si kuratori i “aDigital Perspective”:
“Ne mendojmë se ekspozita që kemi sjellë Brenda hapësirës së galerisë është novatore për diskutimin e artit dixhital, pasi nuk flitet për vepra dixhitale, por për vepra analoge që të bëjnë të reflektosh mbi dixhitalizimin”, tha ai.

“aDigital Perspective” do të qëndrojë në Tiranë deri më 31 mars, për të shëtitur si ekspozitë në qytete si Beogradi, Bukureshti dhe Prishtina.
Ndërsa Bassan-i e vlerëson galerinë “GOCAT” si vendin ideal që një ekspozitë mund të përçojë mesazhin e saj, “GOCAT” është një dhuratë e Fondacionit Mane për komunitetin artistik, ku artistët mund të promovojnë punën e tyre pa pagesë dhe artdashësit të shijojnë gjuhën e artit bashkëkohor falas.

