VIDEO/ “Hollivudi në Tiranë”, skenaristët amerikanë me Ramën: Shqipëria duhet të shndërrohet në qendër të industrisë së filmit

Producentja Pamela Cederquist dhe drejtori i ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr., dy amerikanë të angazhuar në industrinë e filmit, të cilët kanë themeluar qendrën e tyre të trajnimit për talentet e reja në Shqipëri, ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.

“Catalyst Story Institute”, e ngritur në ambientet e ish-Kinostudios është një mundësi për të gjithë ata që duan të hyjnë në botën e kinemasë jo thjesht si regjisorë, aktorë apo  skenaristë, por edhe për të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në zinxhirin e shërbimeve.

Në podkastin “Flasim”, producentja Pamela Cederquist tregoi se si e zbuloi Shqipërinë nga një pikë në hartë, ndërsa gjithçka ndryshoi pas vizitës së saj këtu në vitin 2022, pikërisht për shkak të energjisë dhe historisë që ofron vendi.

VIDEO/ “Hollivudi në Tiranë”, skenaristët

Ndërsa për drejtorin ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr., “ky vend është një terren pjellor talentesh të pashfrytëzuara, në pritje që industria ta ndezë e të shpërthejë njësoj si një raketë që është gati të niset në platformën e lëshimit”.

“Lista e mrekullive fatlume shqiptare që na kanë ndodhur këtë vitin e fundit është e jashtëzakonshme ndaj mendoj se jemi në vendin e duhur”, u shpreh ai.

Por sipas tyre, ndikimi i industrisë së filmit shkon përtej interesit së një kategorie të caktuar profesionistësh të cilët përfshihen direkt.

Pamela shpjegoi se si kjo industri kërkon të mbështetet nga një zinxhir i tërë shërbimesh në vendin ku zhvillohet, që do të thotë më tepër ekonomi.

“Nëse ndërtojmë një skenografi filmi dhe supozohet të jetë një banjë, më duhen punimet hidraulike, që të shkarkoj ujë. Nëse është kuzhinë, më duhet energji elektrike. Nëse më duhet ta ndërtoj, më duhen marangozët, nëse më duhet një mur guri, kam nevojë për muratorë, nëse më duhet një kamion, kam nevojë për  shofer. Është gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Ndërkohë impakti që krijon kjo industri, për Philip është më i gjerë akoma, pasi ka ndikim edhe në ekonominë e vendeve.

“Turizmi i filmit është një nga më të fuqishmit ekonomikisht dhe jo vetëm ekonomikisht dhe gjithçka për të cilën po flisni janë ndikimet ekonomike. Megjithatë, është edhe krenari, ka një nivel krenarie.

Ka të bëjë me vendosjen e flamurit tuaj në skenën globale dhe thua, “pa na shiko në ekran, jemi këtu”. Ka një fuqi kur sheh një vend në ekran që të bën ta vizitosh apo të mendosh për të. Mund të jetë për pak, sa për të bërë pushimet e radhës atje apo mund të zhvendosesh aty. Ka gjithashtu një lloj fame që vjen me bashkë me këtë”, shtoi ai.

“Unë kam nisur të punoj në industri për HBO-në. Kam punuar në serialet Six Feet Under, Sex in the City, Sopranos, Curb your Enthusiasm.

Isha një prej analistëve për çështjet e biznesit në HBO, në fillim të viteve ‘2000 dhe kjo më dha njohuri sesi të merresha me pjesën e biznesit. Kështu, një nga gjërat për të cilat jam më i interesuar dhe ajo që do të duhet nëse Shqipëria do të shndërrohet në një qendër afatgjatë për industrinë, është puna me profesionistët aktualë të biznesit dhe financave në vend që të mësojnë  – ndoshta tani janë investues në pasuri të paluajtshme – sesi investohet në pronësi intelektuale, si të investosh në aktive jomateriale, pse të investosh në filma dhe televizion, cili është modeli i biznesit për këtë, ku janë paratë, ku është fitimi prej tyre dhe si funksionon qarkullimi financiar faktik i ndërtimit të kësaj industrie. Kjo është ajo që e bën Hollivudin Hollivud, sepse ai ishte vendi që nisi të investonte privatisht në industri që para 100 vjetësh”, theksoi ai.

Të ftuar në podkastin “Flasim”, gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Edi Rama ata rrëfyen gjërat që i kanë tërhequr për të zhvendosur aktivitetin e tyre në Shqipëri, por edhe mangësitë që shikojnë këtu.

“Më pëlqen potenciali. Më pëlqejnë njerëzit. Më pëlqen kureshtja. E kuptoj që njerëzit ndihen sikur nuk po bëjnë para mjaftueshëm, po kjo vlen për të gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, shumë njerëz duket sikur bëjnë shumë para, ndërkohë që mezi ia dalin të paguajnë qiranë, për shkak të kostos së jetesës.

Pra, kjo nuk do të thotë që nëse shkoj në një vend tjetër do të ketë domosdoshmërisht më mirë, aspak. Megjithatë, klima këtu, më pëlqejnë autobusët. Autobusët këtu janë të shkëlqyer”, u shpreh Pamela.

Pamela i konsideroi autostradat këtu, përparim, ndërsa u shpreh se “ka kaq shumë gjëra që funksionojnë, saqë ato gjërat që nuk funksionojnë i sheh që do të rregullohen”.

“Autobusët janë të pastër, janë të mirëmbajtur, janë të mirëprojektuar për të mbajtur një numër të madh njerëzish pa u ngjeshur. Unë jam rritur në një qytet që ishte i gjithi i mbështetur në transportin publik. Ka metro, ka autobusë e të tjera me radhë dhe ky është përparim. Autostradat këtu, janë përparim. Ka kaq shumë gjëra që funksionojnë, saqë ato gjërat që nuk funksionojnë i sheh që do të rregullohen. Nuk është se nuk do të ndreqen kurrë”, tha ajo.

Sipas saj, Shqipëria është një vend kaq i ri dhe kaq i vjetër, dhe kjo është një nga gjërat më të jashtëzakonshme që ka.

Ndërsa për Philip, numri i mundësive të pranishme në këtë moment në Shqipëri për të bërë gjëra është më i madh se në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj që kjo është ajo gjëja e padukshme për të cilën kemi folur thuajse çdo ditë. Kam jetuar në shumë vende, kam jetuar në shumë vende në Amerikë dhe numri i mundësive të pranishme në këtë moment në Shqipëri për të bërë gjëra është më i madh se në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Sipas Philip, “mundësia në këtë moment në Shqipëri është ajo që e entuziazmon çdo ditë”.

“Ndihesh sikur je pjesë e një komuniteti, ndihesh sikur je pjesë e ngritjes së diçkaje. Ndjen se po ndërton diçka me njerëz që janë entuziastë që gjenden këtu, por kanë edhe një histori të jashtëzakonshme pas, që Amerika nuk e ka dhe mendoj që kjo qëndron në themel të gjithçkaje, që ka potencial. Sigurisht, duke menduar për pyetjen tuaj, ka njerëz që do thonë pse atje, çfarë bëni atje e kështu me radhë, po kjo, po ajo, a nuk mungon kjo apo nuk mungon ajo? Patjetër, pra ka gjëra që tani mungojnë, po çdo gjë tjetër është e shkëlqyer”, shtoi ai.

Ndërsa veçoi si mangësi mungesën e trenave, kryeministri e siguroi se “së shpejti do të kemi hekurudhën e parë dhe trenin e parë nga Tirana në Durrës”.