Arrestimi i Veliajt, Zhabina: SPAK pohon se është një sistem korrupsioni i organizuar. Mungon vetëm akuza e grupit të strukturuar kriminal
Erion Veliaj u arrestua dje mbi akuza lidhur me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është vendosur nën masë sigurie “arrest në shtëpi”, ndërsa pesë biznesmenë janë lënë nën detyrim paraqitje. Elman Abule, një biznesmen i afërt i Veliajt, është arrestuar gjithashtu.
Gazetari Xhevahir Zhabina, i ftuar në "MCN live", ka komentuar këtë ngjarje, duke thënë se vendimi për arrestimin e Veliajt ka qenë i vështirë për SPAK, pasi dosja përfshin mbi 400 faqe dhe ka dokumentuar vetëm një pjesë të parave të dyshuara për korrupsion.
"Hetimi ka pasur ritme të shpejta dhe, krahasuar me raste të tjera, ka pasur një avancim të madh të provave.
SPAK ka grumbulluar prova që janë legjitime dhe të mbështetura nga vendimi i Gjykatës së Posaçme. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është përfshirë në dy akuza, përfshirë mosdeklarimin dhe refuzimin e detyrimeve ligjore, pasi është e përfshirë në aktivitetet e një institucioni të lartë.
Hetimi ka zbuluar se Xoxa përmes një OJF-je, ka pasur mundësinë të arrijë në një fitim të jashtëzakonshëm prej 1 milion eurosh, të cilat kanë dalë nga projekte të bashkisë. SPAK ka mundur të dokumentojë shpenzime prej 110 milion lekë, si dhe 870 mijë euro për blerje online për 4 vjeçare".
Gazetari Zhabina nënvizon se, sipas SPAK, ky është një sistem i organizuar korrupsioni, por mungon akuza për grupin e strukturuar kriminal.
Zhabina ngre pyetjen se nëse ky hetim mund të çojë në ngritjen e akuzave për një grup të strukturuar kriminal, pasi ka dyshime që një skemë e tillë ka funksionuar për vite me radhë dhe përfshin më shumë se tre persona.
"Megjithatë në këtë fazë prokurori nuk e ka ngritur, kur thotë fakte dhe provat e evidentuara deri në këtë rast, krijojnë dyshimin se ne rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, sipas një skeme te vënë në funksion nga kryetari i i bashkisë, që do të thotë se skema ka funksionuar ndër vite, janë në bashkëpunim më shumë se tre persona, kështu që të lë dyshime së bëhet fjale për grup të strukturuar kriminal".

