Zgjedhejt në Kosovë/ Kryeministri i Spanjës, uron Kurtin për fitoren: Ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes që populli i Kosovës ka
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka uruar kryetarin e LVV-së Albin Kurti për rezultatin në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sánchez përmes një letre e cilëson këtë fitore si dëshmi të besimit të qytetarëve të Kosovës në udhëheqjen dhe vizionin e Kurtit. Gjithashtu ai shpreh mbështetje për përpjekjet e qeverisë së ardhshme në forcimin e demokracisë, drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik.
“I nderuar Kryeministër Kurti, në emër të Internacionales Socialiste, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren tuaj të fundit zgjedhore. Ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes që populli i Kosovës ka në udhëheqjen dhe vizionin tuaj për të ardhmen.Ndërsa vijoni punën tuaj për forcimin e demokracisë, drejtësisë sociale dhe progresit ekonomik, ju uroj çdo sukses dhe shpresoj që së shpejti të mund të formoni zyrtarisht qeverinë tuaj. Internacionalja Socialiste mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e vazhdueshëm”, shkruan Sánchez në letër.
