Rama: Shqipëria vendi më i sigurt në Europë, me numrin më të vogël të vjedhjeve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është vendi më i sigurt në Europë.

Në konferencën për shtyp nga Spanja, para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Rama tha se Shqipëria ka sot normën më të ulët të vjedhjeve në Europë.

Kryeministri theksoi se nuk është qeveria që e thotë, por organizata ndërkombëtare.

Ai vendosi paralele, teksa solli në vëmendje se Britania e Madhe sot ka normën më të lartë të vjedhjeve.

“Kemi pak zënka me britanikët, sepse ata kanë normën më të lartë të vjedhjeve, por duhet ta kontrollojnë se mbase nuk është e vërtetë”, shtoi ai.

Mikpritja e këtyre ngjarjeve, theksoi ai, na bën të ndjehemi pjesë e të njëjtës familje të madhe të vendeve demokratike, që e bëjnë këtë prej shumë vitesh.

Kryeministri më tej u ndal dhe te harmonia fetare në vend.

“Ne jemi një vend myslimanësh krishterësh, katolikësh, ortodoksish, por feja jonë mbi fetë është mikpritja dhe është e shkruar në ligjin tonë të parë, e shkruar qartësisht që: shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut dhe miku është Perëndi për aq kohë sa Zoti nuk vjen dot dhe kushdo që troket është vullneti i Zotit dhe për mikun si për Zotin, ne bëjmë më të mirën”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se turistët spanjollë që vijnë në Shqipëri janë dëshmitarë të kësaj.

Ai kujtoi edhe përballjen mes Shqipërisë dhe Spanjës në Tiranë, në ndeshjen e luajtur për “EURO 2024”, qershorin e vitit që lamë pas.

“Për ne ishte ndeshje shumë e fortë, por në të gjitha evenimentet e mbajtura jashtë, kur ndeshja transmetohej përmes televizorëve, tifozët shqiptarë nuk bërtisnin shumë duke pasur tifozët spanjollë afër. Në fund duartrokitën Spanjën, dhe ata pyetën: çfarë është kjo, nuk kemi parë asnjë vend që të rrihet dhe duartroket”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se për nuk ishte dramë të rriheshe nga Spanja dhe se për Shqipërinë çështja ishte të mos rrihej keq.

“Së pari nuk është dramë të rrihesh nga Spanja, se halli nuk është të rrihesh, por se sa shumë do të rrihesh dhe në fakt nuk u rrahëm aq keq”, tha ai.