Linja hekurudhore Tiranë-Durrës, Rama: Jemi në fazë të avancuar punimesh
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale.
Në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë u pyet edhe për ecurinë e punimeve dhe vënien në funksion të trenit Tiranë-Durrës, për të cilën deklaroi se kjo linjë hekurudhore do të jetë shumë shpejt funksionale.
“Jemi në një fazë shumë të avancuar të punimeve të hekurudhës. Ka marrë shumë kohë, sepse ka pasur procedura të stërzgjatura me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por jemi rrugës”, nënvizoi Rama.
Hekurudha Tiranë-Durrës, një projekt i rëndësishëm kombëtar, që jo vetëm që do të përmirësojë lidhjen mes kryeqytetit, qytetit bregdetar dhe aeroportit, por gjithashtu do të kontribuojë në reduktimin e ndotjes dhe në zhvillimin e transportit të qëndrueshëm, pritet të përmbyllet në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Sipas projektit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 22 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.
Linja do të ketë 11 stacione të cilat do nisin nga Durrësi për të vijuar në Shkozet-Sukth-Vorë-Kashar, linja këto ekzistuese me nevoja për rikonstruksion.
Më pas, aksi hekurudhor do të vijojë në Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë.
Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë deri te Bulevardi i Ri. Ndërkohë stacioni i 11-të është menduar të shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri.
Treni i hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë elektrik, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes parashikohet në 100 km/orë. Hekurudha është e gjatë 39 km dhe financimi i saj mbështetet nga BERZH përmes një kredie me vlerë 70 milionë euro.

