Miratohet kandidatura e Gentian Salës për anëtar të Këshillit Drejtues të AKEP-it
Komisioni i Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot Gentian Salën, kandidatin e propozuar nga Këshilli i Ministrave, për anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Kuvendit, Sala tha se, “në fokus të punës së tij do të jetë vendosja në përdorim e sektorit të komunikimeve elektronike të brezit 700 MHz, brez tjetër kryesor i 5G pas lirimit të tij nga mediet audiovizive, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe popullsisë me shërbim cilësor 5G, një proces tashmë i iniciuar nga AKEP”.
Sala tha po ashtu se në fushën e shërbimeve postare, fokus parësor do të ketë nxitjen e konkurrencës efektive në funksionimin e këtij tregu, sidomos në kushtet e liberalizimit të ofrimit shërbimeve postare.
“Në përmbushjen e këtij objektivi, do të vijojë mbikëqyrja, monitorimi, formalizimi i aktivitetit të subjekteve që ofrojnë shërbime postare,” u shpreh ai.
Sala theksoi se, do të vijojë bashkëpunimin me institucionet akademike për organizimin e veprimtarive me karakter shkencor dhe kërkimor.
Kandidati i propozuar nga Këshilli i Ministrave është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe zotëron një master në studime evropiane. Sala mban statusin e avokatit, prej vitesh është angazhuar me shoqërinë civile dhe ka pasur pozicionin e administratorit dhe bashkëpronarit në një biznes privat. Nga 2014-2019, Gentian Sala ka shërbyer si Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive, ndërsa prej vitit 2021 ka kryer detyrën e koordinatorit të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë.

