Urdhri i Mjekut, miratohen rregullat për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e rregullave për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës pranë Urdhrit të Mjekëve dhe Komisionit të Apelimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit, duke siguruar një proces të rregullt ligjor për shqyrtimin e pretendimeve për shkelje disiplinore dhe zbatimin e masave disiplinore, në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor.

Ky vendim zbatohet për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucionet shëndetësore publike dhe jopublike në Republikën e Shqipërisë.

Organet disiplinore, sipas ligjit, janë “Komisioni i Disiplinës”, që ngrihet dhe funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, si edhe “Komisioni i Apelimit”, që ngrihet dhe funksionon pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Komisioni i Disiplinës funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve dhe përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët kanë përvojë në fushën e mjekësisë ose në fushën juridike, si më poshtë vijon: 3 përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore; një përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative; shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

Kryetari i Komisionit të Disiplinës miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Për të qenë anëtar i Komisionit të Disiplinës kërkohet që ai të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.

Mandati i anëtarëve të Komisionit të Disiplinës është 2 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

Anëtari i Komisionit të Disiplinës heq dorë ose përjashtohet nga ky komision, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.

Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri, brenda 30 ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.

Komisioni i Disiplinës funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.

Komisioni i Disiplinës shqyrton ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.

Ankesat anonime nuk pranohen për shqyrtim. Komisioni i Disiplinës fillon kryesisht procedimin disiplinor për mjekun, ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal, për të cilin vihet në dijeni institucioni shëndetësor ose Urdhri i Mjekëve.

Brenda 5 ditëve nga regjistrimi i kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, kryetari i Komisionit të Disiplinës njofton mbledhjen e këtij komisioni.

Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë shkelje të tjera, Komisioni i Disiplinës jep një nga masat disiplinore, të parashikuara nga ligji “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në përfundim të procedimit disiplinor, Komisioni i Disiplinës merr vendim të arsyetuar, i cili i njoftohet mjekut, subjekt i procedimit disiplinor.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Urdhri i Mjekëve dhe të gjitha institucionet shëndetësore publike e jopublike  për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.