Rama: Nga 4 zona urbane në vitin 2013, sot 43 zona urbane dhe 98 zona rurale furnizohen me ujë 24 orë
Kryeministri Edi Rama tha sot se nga katër zona urbane që kishin 24 orë ujë në vitin 2013, sot janë 43 zona urbane 98 zona rurale, që kanë ujë 24 orë.
Gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, Rama duke ju përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve të tij, tha se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste janë lidhur 300 000 kontrata të reja, ndërsa më herët rezultonte se 60% e lidhjeve me ujësjellësit nuk kishin as matësa.
“Dëgjo pak dhe për këtë çështjen e ujit, kur ne kemi marrë detyrën, vetëm katër zona urbane dhe asnjë zonë rurale kishin 24 orë në ditë ujë dhe 60% e lidhjeve të ujësjellësit s’kishin fare matësa.
Sot nuk janë 4, por janë 43 zona urbane dhe 98 zona rurale. Janë zona të mbulimit nga sistemi i ujësjellësve dhe që furnizojnë me ujë. Janë 300 000 kontratat të reja të lidhura”, tha Rama.
Duke folur për investimet, kreu i qeverisë shtoi se “janë 60 investime të reja që kanë nisur në 2024 dhe që vazhdojnë dhe sot dhe shtrihen në 29 bashki. Përfshijnë 13 qytete, 45 zona rurale. Që do të thotë se kjo punë vazhdon”, tha Rama.
Lidhur me krahasimet me të shkuarën, Rama tha se se krahasimi shërben për të kuptuar se cili është ndryshimi nga e kaluara dhe se sa afër është me objektivin e paracaktuar.
“Si do ta kuptojmë ku jemi, nëse ne harrojmë ku ishim? Si mund ta dimë ne ku duam të shkojmë, pa e ditur ku jemi dhe kjo kuptohet në raport nga jemi nisur? Dhjetë vite në jetën e njeriut janë shumë, por në jetën institucionale të një vendi është një vit. Hajde, po ju jap një vit. Dhe, në ndërkohë, është e padiskutueshme që shumëkush nga ata që flasin sot dhe thonë keq, keq, keq, nuk e vënë fare mendjen në punë për të kujtuar se ku ishim, kur sipas tyre ishim mirë dhe ku jemi sot, që sipas tyre është keq”, tha Rama.

