Rama: Nga 20 mijë legalizime, sot më shumë se 240 mijë. Çdo bashki me zyrë të asistencës digjitale

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm bashkëbisedim me qytetarët në platformat sociale në rubrikën “Sy m’sy”, ku edhe iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të tyre.

Një prej tyre kishte të bënte me “premtimet për legalizimet”. Kreu i qeverisë theksoi se kur ka marrë detyrën ishin rreth 20 mijë legalizime në total, ndërsa sot janë më shumë se 240 mijë legalizime të bëra.

“Premtimet për legalizimet janë tek faktet. Kur ne kemi marrë detyrën janë pak më shumë se 20 mijë legalizime në total, sot janë çerek milioni legalizime të bëra, 240 e kusur mijë. Ka akoma? Patjetër, ka akoma! Por ama, 240 e kusur mijë prona janë të legalizuara dhe 240 e kusur mijë pronarë, pjesa dërrmuese familje kanë pronën e tyre”, u shpreh Rama.

Në mbyllje të përgjigjeve ndaj qytetarëve, kreu i qeverisë bëri të ditur se ka dhënë porosi që të gjitha bashkitë e Shqipërisë të hapin një zyrë shërbimi për ata të cilët kanë nevojë për asistencë teknike kur i drejtohen “e-Albania”-s.

“Kam dhënë porosi që të gjitha bashkitë e Shqipërisë do të duhet të hapin shërbimin për ata të cilët kanë nevojë për asistencë teknike kur u drejtohen “e-Albania”-s, sepse kanë dalë lart e poshtë ca kërpudha mashtruesish, mbase jo mashtruesish por shfrytëzuesish të atyre që nuk e përdorin me sukses celularin për të marrë shërbimin ose që mund të mos e kenë nipin mbesën në dispozicion dhe për këtë arsye të gjitha bashkitë do të kenë një zyrë të dedikuar ku mund të shkohet dhe të merret asistencë digjitale. Derisa në gjysmën e dytë të vitit Diella, që kryen asistencën, për momentit me zë dhe përmes tastierës, të kryejë gjithë shërbimin dhe të komunikojë siç komunikojmë ne bashkë, Inteligjenca Artificiale”, u shpreh Rama.