BB mbështetje teknike për reformën e pensioneve: Informaliteti dëmton pensionet
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, deklaroi se, “Banka Botërore do të ofrojë mbështetje teknike për reformën e pensioneve”.
E pranishme sot në konferencën ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Yu vlerësoi qeverinë shqiptare që e ka vendosur reformën e pensioneve në krye të reformave.
“Politikat e pensioneve që bëhen sot do të ndikojnë tek pensionistët e së ardhmes dhe kontribuesit dhe kjo të ndihmon të kesh një vizion afatgjatë dhe t’i japësh një zgjidhje kësaj vështirësie për të arritur mjaftueshmëri në vendosjen e barazisë midis brezave, qëndrueshmëri buxhetore dhe ndikimin makroekonomik,” u shpreh ajo.
Yu vuri në dukje se qeveria e Shqipërisë e mori përsipër t’i japë zgjidhje kësaj sfide, që me reformën e viti 2014 që e ka përmirësuar ndjeshëm reformën e pensioneve duke modifikuar formulën e pensioneve, ka fuqizuar lidhjen midis kontributit dhe pagesës së pensionit. Gjithashtu ka futur edhe një pension social duke i dhënë zgjidhje varfërisë në pleqëri.
“Skema e pensioneve të 2014-ës e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve, por emigrimi, informaliteti shumë i lartë dhe nëndeklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë. Ndryshimet në skemën e pensioneve do të kenë sukses vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformën e pensioneve. Informimi i publikut është me rëndësi publike për pasjen e suksesit, keni mbështetjen tonë tek për reformën e sistemit të pensioneve,” theksoi Yu.
Sipas saj, migrimi në shkallë të lartë, informaliteti shumë i lartë dhe nëndeklarimi i të ardhurave dëmtojnë edhe detyrimin në përmbushjen e pagimit të pensioneve.
Yu theksoi se, “qeveria shqiptare e ka kuptuar këtë situatë dhe rëndësinë që ka kjo për sistemin e pensioneve. Ne do të punojmë për të përsosur më tej disa prej mekanizmave të sistemit të pensioneve për të pasur një rrugë pa probleme në të ardhmen duke u mbështetur në reformën e vitin 2014, dhe për këtë jemi në rrugën e duhur”.
Ajo u shpreh se, BB ka ndihmuar shumë vende për reformën në sistemin e pensioneve, përmes asistencës teknike dhe mënyrave të tjera.
“Pensionet janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e njerëzve në këtë rajon për qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për aftësinë konkurruese të ekonomisë,” theksoi Yu.
Përfaqësuesja e BB u shpreh e kënaqur për mundësinë që iu dha BB-së për të mbështetur Shqipërinë në reformën e pensioneve të vitit 2014.

