Matura Shtetërore 2025, formularët A1 dhe A1Z të plotësohen brenda 12 shkurtit

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka informuar sot përmes një njoftimi se aplikimet/konfirmimet për “Maturën Shtetërore 2025”, për formularët A1 do të jenë aktive nga 3-12 shkurt dhe aplikimet/konfirmimet për formularin A1Z do të jenë aktive nga data 11-12 shkurt.

Sipas MAS-it, formulari A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formularin A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë në Maturën Shtetërore.

Hapi i parë është plotësimi i formularit A1/A1Z, në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet.

Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti/kandidati.

Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes njoftimit në rrjetet sociale sqaron hapat si duhet të aplikojnë maturantët: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”; klikoni butonin “Përdor”; zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.

Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë.

Aplikimi me formularin A1/A1Z është i vlefshëm vetëm për Maturën Shtetërore të këtij viti shkollor, duke përfshirë edhe sesionin e dytë (të vjeshtës).