"Shpërdorim detyre"/ SPAK kërkon të shpallet fajtor kryebashkiaku i Devollit, por jo burg për të

SPAK kërkon dënimin e kryebashkiakut Duro me 1 vit dhe heqje të të drejtës për të ushtruar funksione për 5 vite

Prokuroria e Posaçme ka lexuar pretencën këtë të mërkurë për kryebashkiakun socialist të Devollit Eduard Duro, duke kërkuar dënimin e tij me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që konvertohet në 3 vite shërbim prove si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.

Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu.

Kryebashkiaku i Devollit akuzohet nga SPAK se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje. Hetimi i SPAK erdhi pas një kallëzimi të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion nga një subjekt tjetër.

Eduard Duro u zgjodh kryebashkiak i Devollit në vitin 2019, kur Partia Demokratike vendosi t’i bojkotonte zgjedhjet lokale, teksa në zgjedhjet e vitit 2023, ai arriti të rizgjidhej sërish.

HETIMET E SPAK

Prokuroria e Posaçme e akuzon Duron për “shpërdorim detyre” në rastin e dhënies së licensës për një pikë karburanti në Bilisht që dyshohet se është ndërtuar pa leje.

SPAK thotë se nga aktet e administruara rezulton se janë konstatuar shkelje ligjore nga njësia Administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol”, sh.p.k., për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll, Kapshticë.

Prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.

Në kohën kur mbante detyrën e Administratorit të komanduar të Njësisë Qendër Bilisht, shtetasja Vojsava Bregu mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me lejen nr.4, në 27 gusht të 2015 “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”, me vendndodhje të aktivitetit tregtar në Devoll, Kapshticë.

Dhënia e lejes ishte në kundërshtim me ligjin nr.8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr.170, dt.25.04.2002. Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a. aktin e kontrollit, b. lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe c.autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore.

Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin nr. 1543 prot., datë 23.06.2020 “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, kilometri 10, në afërsi të Doganës, Kapshticë”.

Autorizimi i mësipërm është dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr. 970 dt. 2.12.2015 dhe në këtë kohë “Genci Petrol” sh.p.k. nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a.çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe b.autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës. Për këtë objekt të kundraligjshëm, me vendim të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nr. 437, datë 04.10.2019 ishte vendosur edhe prishja e tij.