Qëlluan me rreth 100 plumba në Malësi të Madhe, policia: Dy autorët kishin shkuar për të vjedhur, shpallen në kërkim
Tre vëllezër u përballën me hajdutë të armatosur, duke vënë në rrezik edhe jetën për të shmangur vjedhjen e banesave në fshatin Gruemirë në Malësinë e Madhe.
Dy të rinj janë shpallur në kërkim nga Policia që tha se ka arritur të zbardhë misterin pas të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në fshatin e bashkisë veriore.
Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj i kanë identifikuar dhe kanë debatuar me hajdutët e dyshuar, të cilët sipas policisë në largim kanë qëlluar disa herë me armë në ajër
Pas dëshmive dhe veprimeve hetimore, autorët janë idenfikuar si 22-vjeçari me inicialet E.V nga fshati Hot i Ri dhe 27-vjeçari me incialet R.Z nga fshati Shtoj i Vjetër.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti dhe sekuestroi 4 gëzhoja arme, të cilat do ekzaminohen pranë ambjenteve të laboratorit të policisë kriminale në Tiranë, me qëllim për të kuptuar nëse armët e dy hajdutëve janë përdorur dhe në ngjarje të tjera kriminale ose jo.
Lokalizimi dhe arrestimi i tyre ende nuk është arritur të bëhet nga policia lokale, por uniformat blu bënë me dije se ndaj dy personave tashmë ka nisur hetime për akuzën e “Kanosjes me armë” në dëm të tre vëllezërve Kurtaj dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.
