Fico: Sllovakia me BE dhe NATO-n, por pragmatike me Moskën

Kryeministri sllovak, Robert Fico theksoi sot se qeveria e tij nuk po e ndryshon drejtimin e politikës së jashtme të vendit.

“Ne jemi dhe duam të mbetemi fort të ankoruar në Bashkimin Evropian dhe NATO. Qeveritë që unë kam drejtuar kanë arritur nivelin më të lartë të mundshëm të integrimit, qoftë për Schengenin apo euron”, theksoi kryeministri në një takim me diplomatët.

”Në të njëjtën kohë, Sllovakia do të vazhdojë të kritikojë disa vendime të BE-së nëse bindet se vendime të tilla nuk janë korrekte dhe dëmtojnë BE-në në tërësi dhe shtetet anëtare individuale”, theksoi ai.

Fico mbrojti kolegun e tij të partisë ”Smer” dhe nënkryetarin e Dhomës së Ulët të parlamentit, Tibor Gaspar, i cili pranoi mundësinë e largimit të Sllovakisë nga BE.

Fico komentoi gjithashtu edhe marrëdhëniet me Federatën Ruse.

“Unë hedh poshtë politikën e një perdeje të re të hekurt midis Evropës dhe Federatës Ruse. Sllovakia do të sillet në një mënyrë standarde dhe pragmatike, pasi ne jemi të interesuar për marrëdhënie të mira dhe do të bëjmë gjithçka për të harmonizuar marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Federatës Ruse, pas përfundimit të konfliktit në Ukrainë”, tha Fico duke iu drejtuar ambasadorit rus, i pranishëm në takim.