Trump kërcënoi me tarifa/ Kremlini: BRICS nuk diskuton krijimin e monedhës së përbashkët
BRICS nuk po diskuton krijimin e një monedhe të përbashkët, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke shtuar se shoqata po diskuton formimin e platformave të përbashkëta të investimeve.
Teksa komentoi kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur taksa doganore për mallrat nga vendet anëtare të BRICS, nëse aleanca largohet nga dollari, Peskov tha se "BRICS nuk ka dhe nuk po diskuton krijimin e një monedhe të përbashkët".
"BRICS po flet për krijimin e platformave të reja të përbashkëta të investimeve, që do të lejojnë investime në vendet e treta, investime të ndërsjella e kështu me radhë," tha ai në një konferencë.
Peskov vuri në dukje se presidenti rus Vladimir Putin tha për këtë më herët.
"Me sa duket ekspertët duhet t'i shpjegojnë zotit Trump, agjendën e BRICS, në më shumë detaje," shtoi ai.
BRICS u themelua në vitin 2006 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, me Afrikën e Jugut që iu bashkua më 2011.
Më 1 janar 2024, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u bënë anëtarë të plotë.
Më 6 janar 2025, Indonezia gjithashtu iu bashkua grupit.
