Shtimi i akteve antisemite, hebrenjtë në Australi “detyrohen” të fshehin identitetin

Në Australi janë shtuar ndjeshëm aktet antisemite, çka po detyron hebrenjtë atje të marrin masa shtesë sigurie.

Sulmet në rritje i kanë shtyrë hebrenjtë të punësojnë roje private për ta dhe të heqin shenjat e dukshme të identitetit të tyre hebre, sipas kompanive të sigurisë dhe udhëheqësve të komunitetit, raporton “Reuters”.

Studentët hebrenj në Sidnej u kthyen në shkollë të premten me një prani të shtuar të sigurisë, pak pasi policia ndaloi një sulm antisemit në qytet. Ndërsa një ditë parë policia në shtetin e Uellsit të Ri Jugor tha të mërkurën se kishte gjetur eksploziv në një rimorkio, që mund të kishte krijuar një valë shpërthimi prej 40 metrash.

Kishte disa indikacione se eksplozivët mund të përdoreshin në një sulm antisemitik që mund të kishte shkaktuar viktima masive. Matt Thistlethwaite, ligjvënësi federal për zonën që ka një popullsi të lartë hebreje, tha se ai kishte punuar me policinë lokale për të rritur patrullimet në zonë.

Një varg sulmesh në muajt e fundit në Australi kanë alarmuar hebrenjtë e vendit të cilët kanë kërkuar reagim nga qeveria e kryeministrit Anthony Albanese, i cili përballet me presion edhe për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen në muajin maj.