Përmbytje në Malajzi/ Më shumë se 6000 të zhvendosur nga banesat e tyre

Pesë persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve që goditën pjesën veriperëndimore të ishullit Borneo, i cili i përket Malajzisë.

Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje shkatërruese, duke detyruar 2,357 banorë në shtetin Sarawak dhe 4,396 të tjerë në shtetin fqinj Sabah të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në vende më të sigurta.

Zëvendëskryeministri i Malajzisë, Ahmad Zahid Hamidi, i cili është gjithashtu kreu i agjencisë federale të menaxhimit të fatkeqësive, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë pasi meteorologët paralajmërojnë se kushtet e rrezikshme të motit do të vazhdojnë edhe në 24 orët e ardhshme.