Deklarata e statusit personal, Çelmeta: Detyrim për çdo të punësuar

Çdo i punësuar, në shtet apo privat, përpara se të marrë pagën e muajit janar ka detyrimin ligjor të plotësojë Deklaratën e Statusit Personal.

Këtë deklaratë e ka punëdhënësi dhe e firmos çdo punonjës një herë në vit. Ky dokument është një risi që rrjedh nga Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe nuk shoqërohet me kosto shtesë.

Kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë, por deklarata firmoset vetëm në njërin nga vendet e punës. Në rast se punonjësi refuzon të nënshkruajë, ekonomisti do t’i mbajë tatimin pa të drejtë zbritjeje.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta bëri të ditur se për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna.

Sipas saj, ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë.

“Deklarata e Statusit Personal është një marrëdhënie mes dy palëve, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna. Ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë”, u shpreh Çelmeta.

Sipas saj, kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë.

Çelmeta shpjegon se formulari plotësohet vetëm një herë në një punëdhënës. Ajo shton se në vendin e punës që plotësohet ky formular bëhen dhe zbritjet që parashikon ligji.

“Ajo çfarë ndodh me  individët me më shumë se sa një punësim, është se duke qenë se individi ka të drejtë që zbritjet t’i kërkojë njëherë vetëm në një punë, tek subjekti që ka nënshkruar këtë status, atëherë në subjektet e tjera të ardhurat që realizohen gjatë një muaji do t’i tatohen bruto, pra për të gjithë masën e të ardhurave që realizon brenda një muaji”, sqaroi Çelmeta.

Deri tani ligji parashikonte që për personat që ishin dy apo më shumë të punësuar, të ardhurat bashkoheshin në fund të vitit dhe i nënshtroheshin tatimit, pas plotësimit të deklaratës së të ardhurave vjetore, DIVA.

Me ndryshimet ligjore, tatimi nuk do të mbahet një herë në vit, por çdo muaj.

Pavarësisht kësaj, detyrimi për plotësimin e DIVA-s mbetet në fuqi.

Personat fizikë të vetëpunësuar bëjnë përjashtim nga deklarata e statusit personal.