Vendimi, OBP do të zhvillojë edhe procedurën e konkurrimit ndërmjet operatorëve ekonomikë

Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim lidhur me krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara” (OBP), përgjegjës për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë.

Ndryshimi ka të bëjë me pikën 15 të vendimit të Këshillit të Ministrave datë 7 shtator 2023 ku thuhet se operatori i Blerjeve të Përqendruara ka përgjegjësi të organizojë punën për kryerjen e procedurave të prokurimit, për të nënshkruar marrëveshjen kuadër dhe kryerjen e procedurave të prokurimit deri në lidhjen e kontratës.

Sipas vendimit të sotëm të qeverisë “Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a., ka përgjegjësi të organizojë punën për kryerjen e procedurave të prokurimit, për të nënshkruar marrëveshjen kuadër, për të zhvilluar procedurën e konkurrimit ndërmjet operatorëve ekonomikë, palë në një marrëveshje kuadër, si dhe kryerjen e procedurave të prokurimit deri në lidhjen e kontratës”.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, OBP dhe institucionet shtetërore.