Punonjësit në ish-ndërmarrjet bujqësore, Manjani: Njohje e periudhave të sigurimit pa pengesa

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha sot se me miratimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga qeveria do u jepet mundësi punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore që t’i njihet periudha e sigurimit pa pengesa.

Zv/ministrja Manjani ishte sot e pranishme në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ku po diskutohen ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.”

Manjani thekson se këto ndryshime ligjore kanë rëndësi për një numër të madh qytetarësh që kanë punuar para vitit 1994 dhe nuk kanë mundur të dokumentojnë periudhat e tyre të punës për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore.

Manjani vuri në dukje se, “projektligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore nga mosha 18 vjeç apo nga data e mbarimit të shkollës së lartë deri në datë 19/07/1991 që është data e hyrjes në fuqi e ligjit 7501 për tokën, i ndryshuar”.”

Manjani deklaroi se, “projektligji mundëson njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, në rastet e kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi, dhe do të bëj të mundur përfitimin e një pensioni sa masa e pensionit social”.

Ajo tha se, kosto e shtuar në vitin e parë të zbatimit të këtij projektligji rezulton rreth 40 milionë lekë. Në vlerësimin e kohës mesatare të gëzimit të pensionit, që është 15 vite kosto për këta përfitues, është rreth 600 milionë lekë për këta përfitues.

Deputetja Antoneta Dhima, relatore e projektligjit dha detaje të efektit financiar nga zbatimi i këtij projektligji.

“Për personat, që kanë punuar në ish-kooperativa bujqësore, rezultojnë 3,5 milionë muaj të munguar ose 285 mijë vite ku në llogaritje me një vjetërsi të plotë sa kërkohej në vitin 2023 prej 38 vitesh, me një pension mesatar 18 000 lekë në muaj, rezulton një kosto vjetore e shtuar për 7 500 pensione, në vlerën 1,7 miliardë lekë në vit.  Për personat, që kanë punuar në ish-ndërmarrje shtetërore, rezultojnë 10 milionë muaj të munguar ose 827 mijë vite ku në llogaritje me një vjetërsi të plotë sa kërkohej në vitin 2023 prej 38 vitesh, me një pension mesatar (periudhë sigurimi në sektorin shtetëror) 22 000 lekë, rezulton një kosto vjetore e shtuar për 22 mijë pensione, në vlerën 5,2 miliardë lekë në vit” ,tha Dhima.