Kongresi Botëror i së Drejtës 2027 në Tiranë, qeveria fond 150 milionë lekë
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme një fond shtesë në buxhetin e vitit 2025, për Ministrinë e Drejtësisë, për organizimin e Kongresit Botëror të së Drejtës 2027, në Tiranë.
Më propozim të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Këshilli i Ministrave vendosi: “Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për pagimin e kuotës për organizimin e Kongresit Botëror të së Drejtës 2027 në Tiranë”.
Fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025.
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
