Klotilda Bushka zgjidhet zv.kryetare e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Asamblesë Parlamentare të KiE

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, është zgjedhur me votim unanim zëvendëskryetare e Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Po në këtë komitet, Bushkës i është besuar roli i Reporteres për azhornimin e listës së Komisionit të Venecias për indikatorët e shtetit të së drejtës, si dhe përfaqësueses së përhershme të Asamblesë në Moneyval.

Votimi u realizua gjatë punimeve të sesionit të dimrit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që po mbahet këto ditë në Strasburg, Francë, ku ndër të tjera po diskutohen çështje tepër të rëndësishme si: debati për situatën në Gaza dhe Ukrainë, zgjedhjet në Gjeorgji dhe Bjellorusi, zgjedhja e gjyqtarëve të GJEDNj – nga kandidatët e Sllovenisë, Armenisë dhe Andorrës, opinioni për draft-konventën e Profesionit të Juristit në Evropë, përmbajtja e informacioneve që shpërndahen në rrjetet sociale – balanca mes nevojës për rregullim dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes, etj.

Teksa shprehu mirënjohjen për besimin, Bushka nënvizoi se së bashku me kryetarin e Komitetit Lord Richard Keen do të punojë për arritjen e standardeve më të mira të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.