Blushi: Arben Ahmetaj provoi denoncimet shumë të drejta të Partisë së Lirisë dhe opozitës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi sot se “dëshmia publike e radhës, shoqëruar me ekspozimin e fakteve shumë të rënda penale, e ish-krahut të djathtë të Edi Ramës për ekonominë, Arben Ahmetaj, ish-numri dy i Qeverisë më të korruptuar dhe më të inkriminuar të Europës, provoi mbrëmë botërisht denoncimet shumë të drejta të Partisë së Lirisë dhe opozitës në lidhje me organizatën mafioze, që në bashkëpunim me Dumanët e “drejtësisë së re”, drejton sot dhe ka marrë peng vendin”.

DEKLARATA E BLUSHIT

Arben Ahmetaj faktoi mbrëmë se Edi Rama nuk është Kryeministri por Eskobari i Shqipërisë, arkitekti i kanabizimit të vendit, drejtuesi dhe përfituesi kryesor i trafikut të drogës me licencë qeveritare, që vetëm për detoksikimin nga kokaina shpenzon 10 mijë euro në javë në spitalet më të shtrenjta të Italisë, kur ndërkohë fëmijët me sëmundje tumoriale në Shqipëri humbin jetën në pamundësi për të blerë ilaçet e kimios që mungojnë në QSUT.

Çdo pensionist që mezi shtyn ditët me pensionin mizerabël, mësoi mbrëmë se vetëm vera që pi Edi Rama është e barabartë me pensionin minimal të 14 viteve.

Vjedhjet e përbindshme të Edi Ramës të taksave të popullit më të varfër të Europës, me aferat e tmerrshme korruptive të inceneratorëve, Portit të Durrësit, rrugës Thumanë-Kashar, anijet gjenerator në Vlorë, me aferën e baxhanakut në AKSH, me tunelin e Llogarasë, me blerjen e respiratorëve gjatë pandemisë, të blerjes së borxhit dhe shpenzimet e luksit janë arsyeja pse në 12 vitet në pushtet të “Rilindjes” është thelluar varfëria dhe sot më shumë gjysma e popullit jeton në varfëri ekstreme, jo se jemi të varfër por se jemi populli më i vjedhur.

Vetëm dëmi ekonomik që Belinda Balluku apo Bela Mafia, sipas ish-bashkëpunëtorit më të afër të Edi Ramës, i ka sjellë buxhetit të shtetit, duke gllabëruar mbi 12 miliard euro tejkalon dy herë dëmet e tërmetit të vitit 2019 duke vërtetuar se për nga dëmi që u ka sjellë shqiptarëve “Rilindja” ka sfiduar edhe fuqitë natyrore.

Pazari i fëlliqur me tokën shqiptare të ambasadës tonë në Shtetet e Bashkuara, në këmbim të dhënies me koncension të borxhit, konfirmoi se si Edi Rama trajton si plaçkë pronën publike duke bërë pazar me sovranitetin e Republikës, njësoj siç ka vepruar me Marrëveshjen e Detit me Greqinë apo me kufijtë e Kosovës.

Me dëshminë e re të Ahmetaj për megaaferën e inceratorëve, jo vetëm u rikonfirmua pronësia faktike e Edi Ramës dhe Erion Veliaj te inceneratori fantazmë i Tiranës por edhe qëndrimi shumë i drejtë dhe parimor i ish-LSI kundër kësaj afere që në krye të herës, të provuar edhe me “këshillën” që Rama i kishte dhënë Veliaj që këtë aferë të mos ta merrte vesh LSI.

Ky fakt i ri për këtë firmë të vjetër të Erion Veliaj në vitin 2017, shpjegon edhe faktin se pse kjo vendimarrje u mor në shkelje të ligjit për pushtetin vendor, në tejkalim të kompetencave të Kryetarit të Bashkisë dhe duke shmanguar Këshillin Bashkiak të Tiranës, sepse ishte e qartë se vota e të gjithë këshilltarëve të LSI-së do të ishte kundër.

Por dëshmia tronditëse e Arbën Ahmetaj vërtetoi afërmendsh edhe kapjen për fyti të “drejtësisë së re” që këto krime të përbindshme i cilëson si krime intelektuale të vështira për t’u hetuar, përfshi krimet e faktuara zgjedhore, që e kanë rrëzuar “Rilindjen” në të paktën 4 Qarqe.

Të gjithë shqiptarët i panë provat, që ulërasin çdo ditë, tanimë edhe nga ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, dëshmia e të cilit në vend të administrohet për nisjen e hetimeve, as nuk konsiderohet nga “vegla qorre” e “Rilindjes” në krye të SPAK, Altin Dumani

Bashkë me Qeverinë më të korruptuar dhe të inkriminuar të kontinentit mbrëmë ra, u asgjësua dhe duhet të pushojë së ekzistuari edhe organizata kriminale, paterica që e mban në pushtet regjimin e kalbur të Edi Ramës dhe që quhet SPAK.

Akuzat e Arben Ahmetaj nuk ishin vetëm radigrofia e Narkoqeverisë por edhe shpartallim i Narkodrejtësisë.

Edi Rama, Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe ujqërit e tjerë grabitqarë të “Rilindjes” janë sot të lirë sepse tanimë faktohet çdo ditë se misioni i SPAK kurrë nuk ka qenë dhënia fund e pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta por garantimi me çdo mjet kriminal edhe të një mandati tjetër të Edi Ramës, nëpërmjet burgosjes, hetimit dhe shantazhimit të drejtuesve të opozitës.

Më 11 Maj është dita ta ndëshkojmë masivisht me votë Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale që shpopulloi vendin me mbi 1 milion shqiptarë për të vjedhur pasuritë publike, mundin, gjakun dhe djersën e tyre!