Jorida Tabaku: Sistemi ekonomik është i padrejtë dhe i pabarabartë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj raportit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke theksuar se familjet shqiptare përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Sipas Tabakut, “çdo ditë shohim rritje çmimesh dhe shpenzimesh, ndërsa familjet e zakonshme e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë jetesën. Sistemi ekonomik është i padrejtë dhe i pabarabartë, duke favorizuar vetëm oligarkët dhe të privilegjuarit”, tha Tabaku.

Ajo theksoi gjithashtu se mungesa e mundësive për të rinjtë është një tjetër tregues alarmant. “Rinia jonë nuk sheh shpresë këtu dhe po largohet, sepse Shqipëria nuk po ofron as mundësi të ndershme, as të ardhme për ta.”

Në reagimin e saj, deputetja Tabaku propozoi disa masa konkrete për të përmirësuar gjendjen ekonomike:

“Taksa të ulëta dhe të drejta për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla kryesore e ekonomisë familjare shqiptare; Rritje të pensioneve dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta, duke ndihmuar në përballimin e krizës së jetesës; Reforma ekonomike gjithëpërfshirëse, që të garantojë një sistem të drejtë, ku përfitimet nuk i marrin vetëm të pasurit.”

“Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu! Ekonomia duhet të shërbejë për qytetarët dhe familjet shqiptare, jo për të pasuruar një grusht njerëzish”, përfundoi Tabaku.