Interi shkatërron Leccen dhe nuk i ndahet Napolit! Inzaghi: Bëmë ndeshje të shkëlqyer
Interi ka marrë një fitore të thellë në Lecce, aty ku djemtë e Inzaghit dominuan nga fillimi në fund dhe shënuan 4 gola. Serinë e golave e hapi Frattesi në minutën e 6-të. Kapiteni Lautaro Martinez dyfishon shifrat në minutën e 39-të.
Zikaltrit shënuan dhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë. Dumfries shënoi golin e tretë në minutën e 57-të dhe katër minuta më vonë Taremi shënon golin e katërt nga pika e bardhë e penalltisë.
Inzaghi i dha dhe disa minuta në dispozicion Kristjan Asllanit. mesfushori shqiptar u aktivizua në minutën e 75-të në vend të Frattesit. Me këtë fitore, Interi nuk i ndahet Napolit. Ekipi i Contes kryeson me 53 pikë, 3 më shumë se zikaltrit, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak.
DEKLARATA E TRAJNERIT
Trajneri i Interit, Inzaghi vlerësoi paraqitjen e skuadrës, në ndeshjen e fituar 0-4 ndaj Lecces.
“Sonte luajtëm një ndeshje të shkëlqyer kundër një skuadre që me Giampaolon kishte humbur vetëm ndaj Lazios.
Ne i shpëtuam presionit të tyre duke luajtur mirë nga sulmuesit tanë në thellësi.
Për pesë muaj kemi luajtur tre ndeshje në javë. Mund të them se Thuram e Lautaro kanë sakrifikuar shumë”- tha tekniku.

